Pas një humbjeje të dhimbshme, komuniteti shqiptar në Kanada është mobilizuar për të ndihmuar në kthimin e trupit të Rinesës Qeriqi në vendlindje.
Rinesa, e njohur si Rinesancë, u nda nga jeta më 23 tetor, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një familje që e do. Ajo ishte vetëm 25 vjeçe dhe kishte luftuar me një tumor në tru për një kohë të gjatë, një betejë që e shoqëroi me shumë sakrifica dhe shpresë.
Pas ndarjes së saj nga jeta, Shoqata Shqiptare e Rajonit Waterloo ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe, me qëllim mbledhjen e mjeteve për të mundësuar kthimin e saj në Kosovë, aty ku familja dëshiron t’i japë lamtumirën e fundit.
Historia e Rinesës është një kujtesë e dhimbshme për të gjithë ata që e njihnin. Gjatë luftës së saj me sëmundjen, ajo kishte marrë mbështetje të madhe nga komuniteti, i cili tani po mobilizohet sërish për t’i ndihmuar familjes në këtë moment të vështirë.
“Andaj, ne ju drejtohemi me zemër të hapur dhe kërkojmë ndihmën tuaj,” ishin fjalët që kishin shoqëruar fushatën e saj të mëparshme për shërim. Sot, ato fjalë tingëllojnë ndryshe, duke kërkuar ndihmë për kthimin e saj në shtëpi.
Familja e saj, e cila jeton në Kanada, po përballet me dhimbjen e humbjes dhe me sfidat financiare që sjell një situatë e tillë. Komuniteti shqiptar është angazhuar për të lehtësuar barrën e tyre, duke kontribuar për të mbledhur shpenzimet e nevojshme për riatdhesimin e Rinesës.
Fushata ka si qëllim mbledhjen e 20 mijë dollarëve kanadezë, një shumë që do të ndihmojë për të përballuar shpenzimet e transportit dhe për të ofruar mbështetje për familjen në këto ditë të vështira.
Për ata që dëshirojnë të kontribuojnë, donacionet mund të bëhen përmes lidhjes së mëposhtme. Shpërndarja e fushatës është gjithashtu e rëndësishme, pasi ndihmon që kjo thirrje të arrijë te sa më shumë njerëz.
Rinesa nuk arriti të fitojë betejën me sëmundjen, por me ndihmën e të gjithëve, ne mund të sigurojmë që ajo të kthehet për të pushuar në tokën e saj të dashur.
Linku për donacione:
https://www.gofundme.com/f/nderojme-rinesa-qeriqi-in-loving-memory-of-rinesa-qeriqi


