Një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shtetet e Bashkuara ka hyrë në një fazë të rëndësishme, me nisjen e punimeve për hapjen e tuneleve të reja hekurudhore që do të lidhin Nju-Jorkun me Nju Xhersin.
Një makineri gjigante shpimi ka nisur punën në Nju Xhersi, si pjesë e projektit ambicioz “Hudson Tunnel Project”, me një vlerë totale prej 16 miliardë dollarësh. Synimi është zgjerimi i kapacitetit hekurudhor dhe modernizimi i një prej lidhjeve më të rëndësishme të transportit në ekonominë amerikane.
Faza e parë, e njohur si projekti Palisades, ka një buxhet prej 466 milionë dollarësh dhe realizohet nga kompania Lane, pjesë e grupit Ëebuild, në bashkëpunim me FlatironDragados dhe SPC.
Në këtë segment do të ndërtohen dy tunele paralele, secili rreth 1.6 kilometra i gjatë dhe me diametër 7.7 metra. Tunelet do të pajisen me veshje betoni të parapërgatitur dhe do të lidhen përmes gjashtë kalimeve tërthore. Gjithashtu, është ndërtuar një pus rreth 37 metra i thellë për nxjerrjen e makinerive pas përfundimit të shpimeve.
Projekti përfshin edhe ndërtimin e një tuneli të ri nën lumin Hudson, si dhe rehabilitimin e tunelit ekzistues, i cili është në funksion prej më shumë se një shekulli. Sipas kompanive përgjegjëse, kjo lidhje përdoret çdo ditë nga mbi 200 mijë pasagjerë dhe më shumë se 450 trena të kompanive Amtrak dhe NJ TRANSIT. Investimi pritet të përmirësojë ndjeshëm transportin hekurudhor dhe të zvogëlojë rrezikun e ndërprerjeve të shërbimit.


