Policia Financiare, me urdhër të Prokurorisë Publike të Shkupit, ka kryer kontrolle në disa lokacione dhe ka ndaluar dy persona në kuadër të një procedure paraprake për dyshime për krim financiar.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për dyshime se persona zyrtarë kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasuri në vlerë të konsiderueshme dhe se janë keqpërdorur rreth 80 milionë denarë, ose afërsisht 1.3 milionë euro, nga fondet buxhetore.
Institucionet ende nuk kanë dhënë detaje zyrtare për identitetin e personave të ndaluar. Megjithatë, sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat, njëra prej të ndaluarave është ish-drejtoreshë financash në Lotarinë Shtetërore, e cila ka ushtruar detyrën gjatë kohës kur kompaninë e drejtonte Perparim Bajrami.
Rasti është ende në fazën e procedurës paraprake, ndërsa organet kompetente po mbledhin dhe analizojnë provat. Pas përfundimit të kontrolleve dhe ekspertizave do të vendoset nëse çështja do të kalojë në hetim të plotë.


