Nxitje të urrejtjes ndëretnike nëpër stadiume të futbollit shoqëria jonë ka parë pothuajse në secilën ndeshje të nxehtë. Edhe atëherë kur nuk kanë luajtur ekipe të dy etniteteve më të mëdha në vend, thirrjet nacionaliste nuk kanë munguar. Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive thirri në takim përfaqësues të tifogrupeve por dhe përfaqësues të Federatës së futbollit të Maqedonisë , Ministrisë së sportit, të policisë e të tjerë.
“Gjatë ndeshjeve sportive kanë qenë jo korrekt në këndimet apo brohoritjet e tyre me gjërat që janë ofenduese, që nxitin urrejtjen apo që kanë përmbajtje politike, po ashtu me prapavijë të nxitjeve të tensioneve dhe për këtë shkak biseduam shumë haptas me të gjithë dhe ju thamë që jemi të hapur për të ndihmuar në këtë problematikë”. Tha Agon FErati
Ministri Ferati tha se vetë partitë politike në disa raste bëjnë nxitje të urrejtjes ndëretnike, sidomos kur afër janë fushatat parazgjedhore. Ai tha se përveç masave ndëshkuese nga autoritet e rendit, ky projekt ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të bien pre e disa grupeve të vogla të interesit.
“Rrethanë lehtësuese është ajo që së fundmi nuk kemi ndonjë paralajmërim për zgjedhje të parakohshme dhe kjo na jep mundësi që në mënyrë të qetë të punojmë në këtë drejtim sepse kjo është një çështje që merr një kohë më të gjatë nuk është se vetëm mundet me një takim ose me një vendim të vetëm që të përmirësohen punët. Kjo duhet të zhvillohet në një formë të njëtrajtshme dhe për një periudhë shumë më të gjatë”, deklaroi Ferati.
Sipas të dhënave të Ministrisë së brendshme për sezonin 2025 dhe deri në prill 2026, Federata e Futbollit të Maqedonisë ka raportuar 5 ndëshkime për thirrje nacionaliste dhe 3 ndeshje pa publik. Ndërsa, për sezonin futbollistik 2024/2025, Federata e Futbollit të Maqedonisë raportoi 4 dënime për brohoritje nacionaliste dhe një masë me ndalim të pranisë së publikut për 4 ndeshje. Përndryshe, në vitin 2024, policia ka evidentuar 83 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë në ngjarje sportive, prej tyre, 57 ishin në ndeshje futbolli. Në raportin e Ministrisë së brendshme thuhet se ndër format e sjelljes ishin edhe pankartat apo thirrjet dhe nxitja e urrejtjes mbi bazë fetare, racore dhe kombëtare.


