Norma vjetore e inflacionit ishte 3.4%, e njëjtë me korrikun, ndërsa inflacioni bazë, që përjashton energjinë dhe ushqimet, u rrit në 2.4%
Çmimet e konsumit në SHBA mbetën në nivele të larta në gusht, pasi përfundimi i armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit solli rritjen e çmimeve të energjisë, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës (BLS).
Norma vjetore e inflacionit ishte 3.4%, e njëjtë me atë të korrikut. Niveli më i lartë i periudhës së fundit u shënua në maj, kur inflacioni arriti në 4.2%, më i larti në tre vjet. Inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe ushqimeve, u rrit në 2.4% në gusht.
Pavarësisht se është ulur nga niveli më i lartë i fundit, inflacioni mbetet mbi nivelet e regjistruara përpara luftës në Iran, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të energjisë. Çmimi i naftës diesel, që përdoret nga kamionët, autobusët dhe trenat, kaloi për herë të parë nivelin e 6 dollarëve për gallon. Ndërkohë, çmimi mesatar i benzinës në pikat e karburantit ishte 4.29 dollarë për gallon, ose 1.10 dollarë më shumë se mesatarja e një viti më parë.
Kjo përbën një sinjal shqetësues për republikanët, të cilët përballen me zgjedhjet në një kohë kur besimi i konsumatorëve ka rënë në nivelet më të ulëta të regjistruara dhe amerikanët thonë se po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë kostot e karburantit dhe ushqimeve. Shqetësimet për inflacionin janë reflektuar edhe në tregun amerikan të obligacioneve, ku yield-et e disa titujve të Thesarit të SHBA-së kanë arritur nivelet më të larta që nga recesioni i vitit 2008. Megjithatë, mbetet e paqartë se kur mund të vijë lehtësimi.
Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme. Të mërkurën në mbrëmje, Trump tha se amerikanët do të merrnin një “dividend” prej 5,000 dollarësh nëse republikanët fitojnë shumicën në zgjedhjet e mesmandatit, një propozim që kritikët e cilësuan si të ngjashëm me ryshfetin.
Një nga mënyrat më të drejtpërdrejta me të cilat qeveria federale mund të ndikojë te çmimet lidhet me politikën e Rezervës Federale të SHBA-së (Fed), e cila përcakton normat e interesit dhe, për rrjedhojë, ndikon në koston e kredive, përfshirë kreditë hipotekore, financimin për blerjen e automjeteve dhe kreditë studentore.
Raporti më i fundit mbi inflacionin do të jetë një faktor kyç në vendimin e Fed nëse do të ndryshojë normat e interesit apo do t’i mbajë ato të pandryshuara në mbledhjen e bordit javën e ardhshme. Secili prej këtyre vendimeve mund të ketë pasoja të rëndësishme për ekonominë amerikane.
Në një postim në rrjetet sociale javën e kaluar, Trump tha se banka qendrore “duhet të tregohet e zgjuar” dhe të ulë normat e interesit.
“NJË VEND I FORTË DO TË THOTË NJË NORMË INTERESI MË E ULËT”, deklaroi ai.
Megjithatë, presioni për rritjen e normave të interesit është shtuar. Në mbledhjen e fundit të bordit të Fed-it në korrik, votimi për mbajtjen e normave të pandryshuara përfundoi 9 me 3, hera e parë në një dekadë që tre anëtarë të bordit shprehën kundërshtim ndaj një vendimi të politikës monetare.
Historikisht, rritja e normave të interesit ndihmon në uljen e inflacionit, pasi shtrenjtimi i investimeve dhe financimit ngadalëson aktivitetin ekonomik. Inflacioni arriti në 9.1% në vitin 2022, niveli më i lartë në 40 vjet. Pasi Fed kaloi vitet e mëvonshme duke rritur normat e interesit, deri në intervalin 5.25%-5.5%, inflacioni ra në 2.3% në prill 2025.
Normat e interesit aktualisht janë në intervalin 3.5%-3.75%, dy pikë përqindjeje më të ulëta se dy vjet më parë. Me inflacionin që është rritur sërish, disa ekonomistë të Fed kanë thënë se mund të ketë ardhur koha për norma më të larta interesi.
Javën e kaluar, guvernatori i Fed, Christopher Waller, tha se ekziston një “pasiguri e konsiderueshme mbi mënyrën se si konfliktet ushtarake, politikat tregtare dhe inteligjenca artificiale do të ndikojnë te çmimet dhe aktiviteti ekonomik” dhe se mund të ishte e përshtatshme rritja e normave të interesit nëse inflacioni nuk jepte shenja ngadalësimi.
“Nëse vijon progresi drejt objektivit tonë prej 2%, atëherë jam i gatshëm të mbështes mbajtjen e normës bazë në nivelin aktual”, tha ai. “Por nëse inflacioni rezulton i lartë, do të konsideroja një rritje të normës së interesit.”
Kryetari i ri i Fed, Kevin Warsh, e ka bërë të qartë se banka qendrore do ta luftojë inflacionin gjatë mandatit të tij dhe do të synojë arritjen e stabilitetit të çmimeve. Gjatë një fjalimi të ndjekur me vëmendje në Jackson Hole, Wyoming, muajin e kaluar, Warsh tha se tendencat bazë të inflacionit nuk ishin “përmirësuar në mënyrë domethënëse” gjatë verës.
“Duhet të jemi të bindur se inflacioni bazë po lëviz drejt objektivit tonë, në mënyrë të qartë dhe me shpejtësi të mjaftueshme. Në të kundërt, kemi ende punë për të bërë”, tha Warsh. / The Guardian
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


