Agjencia për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrje – INOVA, nënshkroi sot kontratë me kompaninë e njohur European Innovation Solutions S.A. për hartimin e studimit të fizibilitetit, përgatitjen dhe projektimin e kornizës operative dhe planit të biznesit për themelimin e Parkut Shkencor-Teknologjik (PSHT).
Ky është një hap konkret në zbatimin e një prej nismave strategjike të Qeverisë, të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe INOVA e zbatojnë së bashku, me qëllim krijimin e një infrastrukture moderne për veprimtari kërkimore-shkencore, zhvillim teknologjik, sipërmarrje dhe lidhje më të fortë të komunitetit akademik me sektorin real.
Me nënshkrimin e kontratës nis procesi i përgatitjes së një studimi gjithëpërfshirës të fizibilitetit, i cili do të përcaktojë realizueshmërinë dhe potencialet për krijimin e Parkut Shkencor-Teknologjik, përfshirë edhe një analizë të detajuar të mundësive për vendosjen e një modeli të partneritetit publiko-privat. Paralelisht do të hartohet një plan biznesi i bazuar në një qasje të integruar analitike, me aktivitete, organizim të punës dhe afate kohore të përcaktuara saktësisht.
Rezultati përfundimtar do të përfshijë një koncept të integruar dhe masterplan, kornizë teknike, model institucional dhe menaxhues, model biznesi, operativ dhe financiar, si dhe një udhërrëfyes të qartë për zbatim, me model të detajuar për vendosjen e partneritetit publiko-privat.
Nga ana e European Innovation Solutions S.A., në takim morën pjesë dr. Paris Kokorotsikos (PhD Paris Kokorotsikos), udhëheqës i ekipit dhe ekspert për krijimin e parqeve shkencore-teknologjike, dhe Nikos Giannoulidis, ekspert për ekosistemet e inovacionit, operacionet e biznesit dhe planifikimin e biznesit.
Parku është paraparë si bërthama qendrore kombëtare për zhvillimin dhe zbatimin e fushave prioritare të specializimit të zgjuar, përmes lidhjes së kërkimit, shkencës së aplikuar, teknologjisë dhe inovacionit. Roli i tij do të jetë të krijojë një urë funksionale ndërmjet kapaciteteve kërkimore-shkencore dhe nevojave të sektorit real, duke mundësuar që rezultatet e kërkimeve të shndërrohen në produkte, shërbime dhe zgjidhje konkrete inovative biznesi.
Përmes ofrimit të shërbimeve laboratorike, programeve të inkubimit dhe përshpejtimit, transferimit të njohurive dhe teknologjive, si dhe mbështetjes tjetër të specializuar për zhvillimin dhe komercializimin e inovacioneve, Parku Shkencor-Teknologjik do të krijojë kushte për rritjen dhe zhvillimin e startup-eve teknologjike, mikro, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, njësive kërkimore dhe kompanive spin-off.
Njëkohësisht, ai do të paraqesë një platformë kombëtare për lidhjen me infrastrukturën evropiane të inovacionit dhe programet përkatëse për kërkim dhe inovacion, përfshirë Qendrën e Përbashkët të Kërkimit të Bashkimit Evropian (JRC) dhe Këshillin Evropian të Inovacionit (EIC).
Nisma kontribuon drejtpërdrejt në zbatimin e disa dokumenteve strategjike kombëtare, ndër të cilat Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2024–2044, Strategjia Kombëtare për Arsim 2026–2032, Strategjia për Specializim të Zgjuar (S3-MK) 2024–2027, Strategjia për NVM 2025–2030, Strategjia për Zhvillimin e TIK-ut – SMART/MK 2030, si dhe Programi Katërvjeçar i Qeverisë për avancimin e inovacionit, shkencës, zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrjes.
Në kuadër të kompetencave dhe misionit të saj, INOVA punon në forcimin e ekosistemit kombëtar të inovacionit, nxitjen e kërkimeve të aplikuara dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik dhe industrisë. Kjo nismë mbështetet në përpjekjet shumëvjeçare për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare për kërkim, inovacion dhe transferim të teknologjive, si dhe për kapërcimin e hendekut ndërmjet sektorit kërkimor-shkencor dhe komunitetit të biznesit.
Me funksionin e tij të ardhshëm, Parku Shkencor-Teknologjik duhet të bëhet infrastruktura kryesore për përsosmëri kërkimore, transferim të teknologjive, sipërmarrje dhe rritje ekonomike të bazuar në inovacion. Duke lidhur universitetet, qendrat kërkimore, startup-et dhe kompanitë, ai do të hapë hapësirë për krijimin e vendeve të punës me vlerë të lartë të shtuar, zhvillimin e teknologjive të reja dhe forcimin e konkurrueshmërisë rajonale të ekonomisë vendase.
INOVA, në bazë të një procedure të zbatuar me sukses të prokurimit publik, ia ndau kontratën kompanisë European Innovation Solutions S.A., e cila sot u nënshkrua nga të dyja palët kontraktuese.
Përmes kësaj nisme, INOVA bën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të parakushteve për një infrastrukturë moderne shkencore-teknologjike, e cila do të mundësojë që njohuria të shndërrohet në inovacione, inovacionet në biznese të suksesshme, ndërsa kërkimi në vlerë konkrete ekonomike.





