Njëzet e pesë vjet pasi sulmet e 11 Shtatorit u planifikuan nga Al-Kaida në Afganistan, ky vend duket se është kthyer sërish në pikën e nisjes: talibanët janë në pushtet, pas 20 vjetësh prani ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa operativë të Al-Kaidës kanë rigjetur strehën atje.
Deri më tani, kjo nuk ka çuar në sulme të mëdha terroriste në kryeqytetet perëndimore, të planifikuara nga Afganistani, e aq më pak në diçka të përmasave të sulmeve të 11 Shtatorit.
Por, ish-zyrtarë ushtarakë, diplomatikë dhe të inteligjencës, si dhe ekspertë të rajonit, japin vlerësime të ndryshme për Radion Evropa e Lirë se përse kjo nuk ka ndodhur.
Disa argumentojnë se situata sot është thelbësisht ndryshe nga ajo para 11 Shtatorit. Të tjerë paralajmërojnë për një kërcënim në ringjallje dhe për një “bombë me sahat”.
Pas sulmeve të 11 Shtatorit, Uashingtoni vendosi të mbështeste një aleancë forcash kundër talibanëve për t’i larguar ata nga pushteti dhe për të gjurmuar udhëheqësit e Al-Kaidës që ndodheshin në Afganistan.
Por, kjo ndërhyrje u shndërrua në një luftë 20-vjeçare, me kosto të jashtëzakonshme financiare dhe njerëzore.
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit si president i SHBA-së, u nënshkrua një marrëveshje me talibanët, sipas së cilës forcat ndërkombëtare do të tërhiqeshin, ndërsa talibanët zotoheshin se “nuk do të lejonin asnjë prej anëtarëve të tyre, individëve apo grupeve të tjera, përfshirë Al-Kaidën, ta përdornin territorin e Afganistanit për të kërcënuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre”.
Sipas marrëveshjes, talibanët u zotuan, gjithashtu, të mos lejonin “rekrutimin, trajnimin dhe mbledhjen e fondeve” nga grupe apo individë të tillë.
Rikthimi i Al-Kaidës
Tërheqja e forcave ndërkombëtare përfundoi në vitin 2021, gjatë presidencës së Joe Bidenit.
Që atëherë, raporte të shumta të ekipeve të Kombeve të Bashkuara që monitorojnë sanksionet, kanë dokumentuar rikthimin e pjesëtarëve të Al-Kaidës në Afganistan.
Një raport i tillë, i publikuar në dhjetor të vitit 2025, e përshkroi Afganistanin si “atdheun simbolik” të grupit dhe vuri në dukje “marrëdhëniet personale dhe martesat” mes pjesëtarëve të Al-Kaidës dhe talibanëve.
“Afganistani tashmë po strehon terroristë që kanë synime ndërkombëtare. Pyetja e radhës është nëse do të përpiqen t’i realizojnë ato. Por, a është kthyer Afganistani aty ku ishte para 11 Shtatorit? Po”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomatja amerikane, Annie Pforzheimer.
Pforzheimer ishte zëvendësshefe e misionit amerikan në Kabul në periudhën 2017-2018 dhe ushtruese e detyrës së zëvendësndihmëssekretares amerikane të Shtetit për çështjet afgane në periudhën 2018-2019.
“Unë e shoh këtë si kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për pjesën tjetër të botës”, thotë ajo.
“Al-Kaida është ende atje dhe, duke pasur parasysh historinë e saj, mbetet jashtëzakonisht e fuqishme”, sipas saj.
Gjenerali H.R. McMaster, i cili shërbeu si këshilltar për siguri kombëtare i SHBA-së në periudhën 2017-2018, ndan shqetësimet e Pforzheimerit.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pritja që talibanët t’i përmbaheshin marrëveshjes, ishte “vetëmashtrim”.
“Ata janë organizatë terroriste. Ajo që duhet të bëjmë është ta dobësojmë qeverinë terroriste në Afganistan”, thotë ai.
Pforzheimer dhe McMaster theksojnë se Al-Kaida nuk është grupi i vetëm i rrezikshëm që vepron në Afganistan me bekimin e talibanëve.
Raportet e OKB-së kanë evidentuar, gjithashtu, bashkëpunimin e Al-Kaidës me Tehrik-e Taliban Pakistanin (TTP) për kryerjen e sulmeve ndërkufitare në Pakistan.
Edhe militantë të Shtetit Islamik janë të pranishëm në Afganistan dhe kanë kryer sulme atje dhe në Pakistan.
Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, një institut me seli në Nju Jork që merret me çështje të sigurisë, e përshkruan situatën në Afganistan si një përzierje të rrezikshme grupesh që i ngjan një “bombe me sahat”.
“Përvoja e 11 Shtatorit”
Por, ekspertë të tjerë bëjnë thirrje për kujdes në vlerësimin e kërcënimit.
Shumëçka ka ndryshuar që nga 11 Shtatori, madje edhe që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në Afganistan.
Talibanët tani kërkojnë në mënyrë aktive bashkëpunim ndërkombëtar.
Së fundmi, ata dërguan një delegacion për takim me Bashkimin Evropian në Bruksel, ndërsa Rusia i ka njohur si qeveri legjitime e Afganistanit.
Përpjekjet e tyre për afrim janë pritur ftohtë në Perëndim, për shkak të kufizimeve të ashpra ndaj të drejtave të grave dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, disa ekspertë besojnë se udhëheqja talibane sot ushtron kontroll më të madh mbi grupe si Al-Kaida sesa në të kaluarën.
“Një dallim i madh krahasuar me periudhën para 11 Shtatorit është se talibanët e kanë përjetuar 11 Shtatorin dhe pasojat që ai solli. Prandaj, duhet të besoj se ata po vëzhgojnë me shumë kujdes se çfarë po bëjnë këta pjesëtarë të Al-Kaidës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jonathan Schroden, drejtues i kërkimeve në CNA, një institut me seli në Uashington.
Schroden, i cili po përfundon një libër mbi historinë e operacioneve amerikane kundër terrorizmit në Afganistan, thotë se ky vend nuk është më epiqendra e kërcënimit.
“Nëse sot synoni t’i luftoni degët më të rrezikshme të Al-Kaidës, ato gjenden në Afrikë, qoftë Al-Shabaab, qoftë grupet e ndryshme në Afrikën Perëndimore që janë të lidhura me Al-Kaidën. Ato janë më aktivet dhe më të dhunshmet”, thotë ai.
Strategjia më e fundit amerikane kundër terrorizmit, e publikuar në maj, gjithashtu vë theksin te kërcënimet që vijnë nga këto dhe rajone të tjera.
Schroden nuk është i vetmi që e vlerëson në këtë mënyrë situatën në Afganistan.
Carter Malkasian, ish-asistent i posaçëm për strategji i kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët dhe tani në Kolegjin Kombëtar të Luftës, shkroi së fundmi në Foreign Affairs se “mungesa e terrorizmit” pas pesë vjetësh të sundimit taliban, është tregues se gjërat në Afganistan kanë ndryshuar.
Malkasian, i cili shërbeu si zyrtar politik në provincën Helmand në periudhën 2009-2011, vë në pikëpyetje raportimet e OKB-së, duke thënë se “ka pak dëshmi që sugjerojnë se Al-Kaida po organizohet, po mbledh fonde apo po zhvillon trajnime në territorin afgan”.
Megjithatë, ai pranon se informacionet e inteligjencës janë të kufizuara.
“Aftësia e Uashingtonit për ta monitoruar Afganistanin nuk është ajo që ishte në vitin 2020, e aq më pak në vitin 2011. Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë në gjendje të zbulojnë planifikimin e sulmeve terroriste apo trajnimet në fshatrat malore ose në rrugicat e Kabulit, Kandaharit apo Xhalalabadit”, shkruan ai.
Këtë pikë e ngre edhe Schroden, i cili vëren se SHBA-ja nuk ka kryer asnjë sulm në Afganistan që nga viti 2022, kur vrau në Kabul udhëheqësin e atëhershëm të Al-Kaidës, Ayman al-Zawahri.
“Ose SHBA-ja ka aq pak informacion për atë që po ndodh atje, saqë nuk mund të identifikojë objektiva për t’i goditur, ose në Afganistan sot, thjesht, nuk ka objektiva të rëndësishme të llojit që kishte dikur”, përfundon Schroden./rel


