Lamine Yamal beson se ka bërë mjaftueshëm për të fituar këtë vit Topin e Artë. Në konferencën për shtyp para debutimit të Barcelonës në Ligën e Kampioneve ndaj Feyenoordit, 19-vjeçari foli për objektivat e sezonit, përgjegjësinë si një prej kapitenëve të skuadrës dhe, sigurisht, për garën për çmimin prestigjioz individual.
Për Yamal, Liga e Kampioneve mbetet objektivi madhor i Barcelonës këtë sezon, një kompeticion ku katalanasit synojnë të shkojnë deri në fund.
“E gjithë skuadra është e motivuar. Është kompeticioni më special dhe të gjithë e kemi në mendje. Këtë vit kemi edhe lojtarë të rinj që kanë ardhur, si Gordon, Rodri, Adejemi dhe Kanselo, ndaj besojmë se mund të bëjmë një sezon të madh. Nëse duam të fitojmë tituj, duhet të vrapojmë dhe të japim gjithçka në fushë. Nëse nuk vrapon, mund të të mundë çdo ekip”, tha Yamal.
Në ditën kur u shpallën nominimet për Topin e Artë, Yamal nuk e fshehu ambicien për ta fituar trofeun, duke theksuar se paraqitjet e tij me Barcelonën dhe Spanjën i japin arsye të besojë.
“Besoj se kam shumë mundësi ta fitoj, sepse kam bërë një vit të madh. Por në fund nuk varet nga unë, varet nga ju. Jam krenar për atë që kam bërë me klubin dhe me kombëtaren. Nuk besoj se kam nevojë të bëj fushatë për Topin e Artë dhe nuk do të lutem për asgjë. Tani mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Yamal.
Yamal u pyet edhe për deklaratën e Ousmane Dembélés, i cili nuk e kishte përfshirë spanjollin në tre favoritët e tij për Topin e Artë. Përgjigjja e 19-vjeçarit ishte me humor.
“Është shok i Mbappe, apo jo?” (qesh) “Sinqerisht, nuk më intereson. Është normale, unë shkoj shumë mirë me Dembélén dhe është normale që ai të vendosë njerëz të tjerë. Nuk ka nevojë t’i tregoj atij se çfarë viti kam bërë”, tha Yamal.
Ndërkohë trajneri Hansi Flick pranoi se skuadra katalanase e ka cilësinë për ta fituar trofeun, por theksoi se rruga drejt tij është e gjatë. Flick pranoi se menaxhimi i një grupi me shumë lojtarë cilësorë nuk është i lehtë, sidomos kur jo të gjithë mund të kenë minutat që dëshirojnë.
“Jo, nuk është e lehtë, por kjo është pjesë e punës sonë dhe gjithashtu e lojtarëve. Kështu funksionon. I shoh të gjithë lojtarët çdo ditë dhe, së bashku me ndihmësit e mi, vendosim se cili duhet të jetë formacioni. Gjithmonë përpiqem të flas me lojtarët dhe t’u shpjegoj pse nuk luajnë”, tha Flick.
Sa i përket Ligës së Kampioneve, trajneri gjerman beson se Barcelona ka potencialin për të triumfuar.
“Besoj se kemi cilësinë për ta fituar Ligën e Kampioneve, por duhet ta dëshmojmë. Është një rrugë e gjatë. Të gjitha skuadrat e mëdha e ëndërrojnë këtë, sepse është kompeticioni më i madh. Ne kemi stilin tonë, por përshtatemi edhe me kundërshtarin. Për momentin jam i kënaqur me atë që po shoh”, tha Flick.
Barcelona nis aventurën në Ligën e Kampioneve me ambicie të mëdha, teksa fjalën tani do ta ketë fusha.


