Ish-banori i Big Brother VIP 1, Granit Cana, ka rrëfyer disa nga momentet më të vështira të jetës së tij. Në një intervistë ekskluzive për ‘Shqipëria Live’, me Sidorela Gjonin, Cana ka treguar se vuan nga një sëmundje e rëndë prej gati 7 vitesh.
Ish-banori ka rrëfyer se edhe gjatë kohës kur ishte në Big Brother VIP ka vuajtur nga kjo sëmundje, por nuk kishte dëshirë të fliste për të kur ishte pjesë e reality show-t, sepse sipas tij do të dukej sikur po viktimizohej.
“Jam mirë, ka kohë që jam duke e vuajtur një pjesë, nuk e di a e quaj dot sëmundje. Kam gati 7 vite me këtë gjendje, ka filluar nga pak. Ka qenë shumë momentale, fillimisht më vinte si pamje e turbullt edhe zgjaste 5 minuta dhe ikte. Nuk e bëja të madhe. Kur u futa te Big Brother, më kanë thënë banorët: “Ua, të ikën sytë”. 2-3 herë u mundova të flisja pak. Ata thoshin se po viktimizohesha për lojë. Kur dola nga Big Brother, nuk e dija nëse kishte ndikuar ajo apo jo, ishte edhe stresi i lojës.
Nuk isha në gjendje as të flisja 2-3 fjalë, kisha edhe probleme të fokusohesha. Si fillim e pamë një lloj strabizmi te sytë, bëra disa kontrolle. Mjeku më tha: “Sytë i ke të shëndetshëm”. Më tha të bëja një skaner, se dyshonte për tumor në sinus. Edhe ajo doli në rregull, nuk dinim ku të drejtoheshim. Bëmë edhe analiza gjaku. Isha edhe te neurologët”, tha Cana.
Granit Cana ka rrëfyer se prej 2 vitesh ka vuajtur edhe nga depresioni, madje ka menduar edhe vetëvrasjen.
“Te vizita e fundit më kanë thënë që duhet të bëja një injeksion te shtylla kurrizore për të parë për një lloj infeksioni. Kam pasur momente shumë të vështira, i kam pasur nja 2 vite në depresion. Ka pasur momente që jam mbyllur në dhomë, kam qarë si fëmijë, kam pasur momente që mendoja më të keqen, të bëja diçka që nuk duhej bërë. Kam menduar pastaj për familjen. Jam njeri që besoj, jam besimtar, kjo më ka ndihmuar shumë”, rrëfeu ish-banori.


