Mel Gibson ka kërkuar falje pas një gjesti të bërë gjatë një takimi me fansat në Toronto, i cili shkaktoi reagime të shumta negative në rrjetet sociale.
Aktori 70-vjeçar ishte i pranishëm të shtunën në FanExpo Canada, ku mori pjesë në një panel për karrierën e tij. Por një moment i shkurtër para ngjitjes në skenë tërhoqi vëmendjen më shumë se pjesa tjetër e eventit.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Gibson shihet duke u ndalur pranë një përkthyesi të gjuhës së shenjave dhe duke imituar për pak çaste lëvizjet e tij me duar, përpara se të ulej në skenë, shkruan People.
Videoja u përhap me shpejtësi online dhe shkaktoi reagime të forta. Disa përdorues e cilësuan veprimin e aktorit si “zhgënjyes” dhe “mizor”, duke e interpretuar si tallje ndaj përkthyesit dhe komunitetit të personave që përdorin gjuhën e shenjave.
Pas reagimeve, Gibson reagoi përmes një deklarate për revistën People të hënën, më 31 gusht, duke kërkuar falje për veprimin.
Kur papritmas del në skenë dhe në qendër të vëmendjes, ndonjëherë mendja jote endet dhe ka një moment marrëzie spontane dhe të pamenduar
-tha Gibson.
Nuk ishte qëllimi im të lëndoja askënd dhe i kërkoj falje kujtdo që u mërzit nga veprimet e mia”
-shtoi ai.
Gjatë panelit në Toronto, aktori dhe regjisori foli me moderatorin Liam Crowley për karrierën e tij disa dekadëshe dhe filmat që e kanë kthyer në një prej emrave më të njohur të Hollywood-it, përfshirë “Mad Max” dhe “Lethal Weapon”.
Ai foli gjithashtu për projektet e reja që lidhen me filmin e tij biblik të vitit 2004, “The Passion of the Christ”.
Vazhdimet do të mbajnë titullin “The Resurrection of the Christ” dhe do të ndahen në dy pjesë. E para pritet të dalë në kinema më 6 maj 2027, ndërsa pjesa e dytë është planifikuar për 25 maj 2028.
Gibson vazhdon të jetë aktiv edhe si aktor. Vitin e kaluar ai pati një rol kryesor në filmin “Hunting Season”, ndërsa ndër projektet e tij të ardhshme janë thrillerat “The Canyon” dhe “Coyote”.
Megjithatë, këtë herë nuk ishte një prej filmave të tij që e vendosi në qendër të vëmendjes, por një gjest prej vetëm pak sekondash, për të cilin aktori tashmë ka kërkuar publikisht falje.


