Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka folur para mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur bindjen e tij se kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës do të mbështetet nga organet e partisë dhe deputetët e saj, raporton Ekonomia Online.
Manaj tha se qëndrimin për Sejdiun e kishte bërë të ditur edhe një ditë më parë, duke e cilësuar atë si figurën e duhur për president.
“E kam dhënë edhe dje qëndrimin, mendoj që Bekim Sejdiu është figura e duhur për president të Republikës. Ky qëndrim për kandidat konsensual për president të Republikës ka ndodhur pas mbledhjes së grupit parlamentar javën e kaluar dhe jam i bindur që edhe sot Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të gjitha organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jenë për kandidaturën e zotit Bekim Sejdiu për president të Republikës”, deklaroi Manaj.
I pyetur nëse do të merren masa ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër apo të mos marrin pjesë në votimin për presidentin, Manaj u shpreh i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancë.
“Por unë jam i bindur që të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Manaj mohoi gjithashtu raportimet se gjashtë deputetë të LDK-së kanë krijuar një grup të veçantë parlamentar.
“Jo, nuk është, nuk është e vërtetë. Grupi parlamentar është unik, të gjithë deputetët janë në kryerjen e detyrave të tyre. Sot e kemi mbledhjen e Kryesisë Qendrore, domethënë tash pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore është edhe mbledhja e grupit parlamentar, që besoj që të gjithë deputetët e grupit parlamentar do të vendosin në pajtim me qëndrimet dhe vendimin e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Manaj.
I pyetur për deklaratën e deputetit Avdullah Hoti se nuk e ka votën për kandidaturën, Manaj tha se beson se edhe Hoti do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit dhe kandidaturën e Sejdiut.
“Unë jam i bindur se edhe zoti Hoti do të jetë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sepse zoti Bekim Sejdiu, mendoj që është figura e duhur, duke qenë edhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, diplomat me karrierë. Ai përfaqëson, do të thotë, të gjitha kriteret që i duhen presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, por edhe të udhëheqjes së politikës së jashtme dhe, çka është më e rëndësishmja, të ruajtjes së unitetit të popullit”, deklaroi Manaj.



