Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong, ka njoftuar një paketë të re mbështetjeje për familjet, me vlerë pothuajse 70 mijë dollarë singaporezë për çdo fëmijë deri në moshën 17-vjeçare, në një përpjekje për të frenuar rënien e lindshmërisë në vend.
Mbështetja nis që në lindje, me një grant prej 10 mijë dollarësh singaporezë për foshnjën, ndërsa 10 mijë të tjera do të ndahen për shpenzimet mjekësore dhe arsimore.
Paketa përfshin gjithashtu 2 mijë dollarë singaporezë në kredi për fëmijët për moshat 1 deri në 16 vjeç, uljen e tarifave për arsimin parashkollor dhe më shumë leje prindërore.
“E ardhmja e Singaporit do të jetë po aq e fortë sa familjet që e ndërtojnë atë”, tha Wong.
Masa vjen në një kohë kur Singapori po përballet me një krizë demografike. Norma totale e fertilitetit ka zbritur në një rekord të ulët prej 0.87 fëmijësh për grua, shumë poshtë nivelit 2.1 që konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin e brezave.
Vendi pritet gjithashtu të hyjë këtë vit në kategorinë e shoqërive “super të plakura”, ku më shumë se 21% e popullsisë është 65 vjeç ose më shumë.
Megjithatë, reagimet ndaj paketës kanë qenë të përziera. Ndërsa disa çifte thonë se mbështetja financiare u jep më shumë siguri për të krijuar familje, të tjerë theksojnë se kostot e larta të jetesës dhe koha e nevojshme për rritjen e fëmijëve mbeten pengesa të mëdha.
“Këto mbështetje më inkurajojnë të kem fëmijë sa më shpejt të jetë e mundur pasi të martohem”, tha 27-vjeçarja Iqbar Hisham, duke theksuar ndihmën për kujdesin ndaj fëmijëve.
Por për disa çifte, paratë nuk janë faktori i vetëm. Një prej tyre tha se koha dhe mundësia për t’iu përkushtuar rritjes së një fëmije mbeten një sfidë që mbështetja financiare e qeverisë nuk mund ta zgjidhë plotësisht./vizionplus.tv


