Arsenali ëndërronte transferimin e Julian Alvarez nga Atletico Madridi, por tani një lëvizje e tij drejt “Emirates Stadium” është përjashtuar, ndërsa kampionët e Premierligës po tentojnë t’i “rrëmbejnë” Newcastle United një tjetër transferim.
Në një tjetër verë të jashtëzakonshme në veri të Londrës, Arsenali mund të thuhet se e ka fituar sërish afatin kalimtar, duke realizuar disa përforcime cilësore – më së shumti Bruno Guimaraesin dhe Ezri Konsan nga Newcastle dhe Aston Villa, respektivisht.
Tani Mikel Arteta dëshiron ta përfundojë merkaton duke shtuar edhe më shumë cilësi në sulm, gjë që shpjegon pse kampioni i botës, Alvarez, ishte në krye të listës së dëshirave të tij.
Por gjithçka ndryshoi këtë fundjavë, kur David Ornstein i “The Athletic” zbuloi zyrtarisht se Alvarez nuk dëshiron t’i bashkohet Arsenalit.
“Në momentin kur po raportojmë, ka një mundësi të ulët që Julian Alvarez të transferohet te Arsenali”, tha Ornstein në prag të barazimit 2-2 të Liverpoolit ndaj Nottingham Forestit, në “TNT Sports”.
“Atletico Madridi do të bënte marrëveshje me Arsenalin. Arsenali është i gatshëm të arrijë një marrëveshje klub më klub, por do të dëshironte që lojtari të dëshironte t’u bashkohej atyre.
“Alvarez nuk ka dhënë asnjë sinjal se dëshiron të bashkohet me ta në këtë moment. Ai ka folur me Mikel Artetën dhe i ka thënë se nuk dëshiron të vijë.”
Nuk është sekret se rikthimi në Premierligë nuk ishte zgjedhja e preferuar e 26-vjeçarit, pasi ëndërronte transferimin te Barcelona, por edhe kjo mundësi është mbyllur.
Drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, këmbënguli se klubi “kurrë, asnjëherë” nuk do ta shesë Alvarezin te Barcelona, pasi presidenti i katalanasve, Joan Laporta, kishte pranuar publikisht dëshirën e tij për ta transferuar argjentinasin para mbylljes së afatit kalimtar.
Gjigantët spanjollë tashmë i kanë dhënë sulmuesit kohë deri të dielën (30 gusht) për të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij, pasi Diego Simeone konfirmoi se ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Sevillas.
Sipas “CaughtOffside”, Arsenali ka hyrë në “dialog” me përfaqësuesit e sulmuesit të Lille, Matias Fernandez-Pardo, i cili dëshiron të largohet nga klubi francez këtë verë.
Newcastle ka një interesim afatgjatë për 21-vjeçarin, por deri më tani nuk ka qenë i gatshëm të paguajë çmimin e kërkuar prej 60 milionë funtesh. Arsenali mund të përfitojë nga kjo situatë duke e bindur belg-un të transferohet në “Emirates Stadium”.
Raportimi pretendon se Arsenali është shfaqur si një “opsion serioz” dhe është “gjithnjë e më i gatshëm të negociojë” për transferimin e reprezentuesit belg, i cili do t’i ofronte Artetës një fleksibilitet të jashtëzakonshëm në repartin ofensiv.
Fernandez-Pardo mund të luajë si sulmues qendror ose në të dyja krahët, ndërsa sezonin e kaluar shënoi tetë gola dhe dhuroi shtatë asistime në 41 ndeshje në të gjitha garat për Lille.
Siç u zbulua të shtunën (29 gusht), edhe Liverpooli ka shfaqur interesim për sulmuesin e shpejtë, pasi është pranë kompletimit të transferimit të bujshëm të sulmuesit të Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola, për 123 milionë funte.
Redsat kanë një histori të prishjes së planeve të Newcastle në merkato, pasi e bënë këtë edhe verën e kaluar me Hugo Ekitiken, dhe mund ta përsërisin të njëjtën gjë edhe me Fernandez-Pardon.
Megjithatë, me Arsenalin që tashmë është futur në garë dhe e sheh mundësinë për transferimin e talentit të ri si një “investim të zgjuar”, kampionët e Premierligës mund të kenë avantazhin në negociata. /Express


