Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit mes shqiptarëve, duke paralajmëruar kundër përçarjeve mbi baza fetare.
Në një postim, Çitaku ka kërkuar që qytetarët të reflektojnë para se ta shohin njëri-tjetrin si kundërshtar për shkak të fesë.
“Kush fiton kur shqiptari e sheh shqiptarin si armik për shkak të fesë? Kemi kaluar tepër shumë si popull për me ra sot në këtë grackë”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka rikujtuar bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë, duke theksuar se katolikë, myslimanë, besimtarë e ateistë kanë përballuar së bashku periudhat më të vështira.
“Besimi është personal, por atdheu është i përbashkët”, ka thënë ajo.
Sipas Çitakut, shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e “betejave që nuk janë tonat” dhe as të lejojnë që konfliktet e të tjerëve të krijojnë ndasi në Kosovë.
“Na kanë nda mjaft të tjerët përgjatë historisë. Mos ta ndajmë ne njëri-tjetrin”, ka përfunduar Çitaku.


