Aleanca mbështet formimin e institucioneve “pa kushte”, thotë Gjini

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 14:12

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet sërish me krizë institucionale, situatë që sipas tij nuk i shërben as qytetarëve e as zhvillimit strategjik të shtetit.

Në një konferencë për media, Gjini tha se Kosova prej një periudhe të gjatë ka qenë e bllokuar politikisht dhe se ekziston rreziku që kjo gjendje të vazhdojë edhe më tutje, duke krijuar vakum institucional.

Ai theksoi se AAK është e gatshme të kontribuojë në procesin e formimit të institucioneve të reja, duke mos e penguar as krijimin e tyre dhe, në raste të nevojshme, duke siguruar edhe kuorumin e domosdoshëm.

Megjithatë, Gjini nënvizoi se partia e tij kërkon zotime të qarta me shkrim për disa politika që i konsideron jetike për zhvillimin e vendit.

 “Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione, situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku, tashmë është blloku për 1 vit e gjysëm. Në këto rrethana Aleanca duhet me deklaru si vijon: Ne nuk kemi asnjë kusht vetiak, nuk synojmë asnjë pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i kemi disa kërkesa të cilat janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë punën e vet në ndihmë të krijimit të institucioneve…

Institucionet e reja të Kosovës duhet qartë me pranu orientimin strategjik, me pranu projektin e gazit të lëngshëm amerikan. Ky është jo vetëm projekt energjetik, ky është projekt strategjik që e tregon orientimin afatgjatë të shtetit tonë. Shteti duhet menjëherë të nis procedurat e ndërtimit edhe termocentralit të ri me thëngjill, duhet me u shfrytëzu thëngjilli jonë menjëherë. Institucionet e reja duhet menjëherë me ngrit pragun e TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro, ka qenë premtim elektoral dhe sot e përsëris, një veprim i tillë kishte me çliruar potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla që në Kosovë janë rreth 100 mijë. Ne kërkojmë që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, t’u lihet frymëmarrje bujqëve të Kosovës”, tha Gjini.

Gjini gjithashtu deklaroi se AAK nuk kërkon poste politike në këmbim të mbështetjes, duke përjashtuar ministritë, zëvendësministritë, ambasadat apo bordet.

Në lidhje me mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president, Gjini tha se kjo do të ishte nder për partinë, por jo kusht për mbështetjen e tyre në procesin e formimit të institucioneve.

“Kjo nënkupton që nuk do të pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë, nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren, në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë…

Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme.

Edhe një herë, jemi të gatshëm edhe të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete, nuk kemi kurrfarë kushti vetijak, nuk duam as ministra, as zëvëndësministra, as ambasadorë, as borde, asgjë, por nuk guxojmë ne të jemi indiferentë dhe mos ta përdorim peshën tonë politike për ta rregulluar jetën e qytetarit të Kosovës”, ka theksuar Gjini.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter