Kurti: Të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje

featured
Press Online
18 Qershor 2026, 15:47

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin që e morën në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Kurti falënderoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh uroi partitë opozitare për rezultatet e korrura në zgjedhje

“Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Republikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë dhe siguruan mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Dolëm me rezultat të qartë të parët. I uroj edhe partitë opozitare për rezultatet e korrura”, shkroi Kurti.

Ai tha se tash presin certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisin punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja,

“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar aq nga zgjedhjet paraprake. Është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore. Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike të sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveria me mandat të plotë dhe president të zgjedhur”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 7 qershorit Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti fitoi sërish shumicën mes partive shqiptare në Kuvend, duke marrë 53 deputetë. PDK-ja 22 deputetë , LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 deputetë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter