Qeveria miratoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 10:56

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, miratoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi.

Me ndryshimet e propozuara, çdo qytetar i rritur, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të japë deklaratë nëse pajtohet ose jo që pas vdekjes së tij të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime mjekimi. Kjo deklaratë do të evidentohet në listën e sistemit nacional për evidenca elektronike në shëndetësi – “Termini Im”. Ligji parasheh edhe mundësinë që qytetari në çdo kohë ta ndryshojë vendimin e tij, informon PressOnline.al.

Me këto ndryshime, për herë të parë shteti do të ketë një pasqyrë më të saktë për gatishmërinë e qytetarëve, si dhe për nivelin e informimit dhe besimit të tyre ndaj dhurimit të organeve.

Njëkohësisht, me ndryshimet e propozuara zgjerohet edhe rrethi i dhuruesve të gjallë. Përveç të afërmve që përfshiheshin deri më tani, do të përfshihen edhe të afërm të tjerë në vijë anësore deri në shkallën e katërt, përkatësisht edhe kushërinjtë e parë. Megjithatë, ruhet mekanizmi mbrojtës përmes komisionit etik, i cili do të kontrollojë vullnetin e lirë të dhurimit dhe mungesën e çfarëdo forme detyrimi.

Përveç kësaj, parashihen edhe zgjidhje të tjera për lehtësimin e procedurave, përfshirë thjeshtimin e hapave administrativë dhe teknikë në pjesën e konstatimit dhe konfirmimit të vdekjes së trurit.

“Me këtë zgjidhje ligjore bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi në të cilin vullneti i qytetarit do të jetë i shprehur qartë, më i mbrojtur dhe më konsekuentisht i respektuar. Akti i dhurimit të organeve do të burojnë nga një vendim i lirë dhe i informuar. Në të njëjtën kohë, me zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë krijojmë mundësi të reja për mjekim, gjithmonë brenda kornizave të rrepta mjekësore, etike dhe ligjore”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter