Amësia në moshë të mitur mbetet një problem shqetësues shoqëror në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat statistikore tregojnë se çdo vit regjistrohen raste të vajzave që bëhen nëna përpara se të mbushin moshën 15-vjeçare, informon PressOnline.al
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 15 lindje nga nëna nën moshën 15 vjeçare.
Shifrat mbeten shqetësuese edhe në vitet paraprake. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 12 raste, ndërsa në vitin 2023 gjithsej 14 raste. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar edhe 588 fëmijë të lindur nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç.
Çështja është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik pas një rasti në qytetin bullgar të Montanës, ku një vajzë 12-vjeçare është bërë nënë. Sipas raportimeve të mediave bullgare, gjatë vitit 2025 në Bullgari janë regjistruar 208 nëna nën moshën 15-vjeçare.
Këto të dhëna ngrenë shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin e tyre, rrezikun e ndërprerjes së shkollimit, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e shtatzënive në moshë të hershme.
Pas secilës prej këtyre shifrave qëndron një fëmijëri e ndërprerë, ndërsa fenomeni kërkon vëmendje të shtuar, përgjegjësi institucionale dhe angazhim të përbashkët shoqëror.



