Maqedonia i ka vendosur vetes një qëllim ambicioz, deri në fund të vitit 2027 të jetë plotësisht interoperabile me Portofolin Digjital Evropian. Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, gjatë paraqitjes në emisionin “Top Tema” në Tellma, theksoi se fokusi është vendosur te lehtësimi i përditshmërisë së qytetarëve përmes digjitalizimit të dokumenteve personale dhe vendosjes së nënshkrimit elektronik, përcjell PressOnline.al.
Sipas ministrit, tashmë është vendosur baza ligjore për këtë proces përmes ndryshimeve në Ligjin për identifikim elektronik dhe shërbime të besueshme.
“Për herë të parë e përcaktuam se çfarë është portofoli digjital. Aty qëndrojnë informacionet se edhe letërnjoftimi, edhe patentë shoferi, diplomat, vërtetimet dhe çertifikatat në formë elektronike njihen. Detyrimi ynë është që deri në fund të vitit 2027 të jemi plotësisht të lidhur me sistemin evropian”, deklaroi Andonovski.
Ai paralajmëroi se përditësimi i ardhshëm i aplikacionit do të përfshijë edhe nënshkrimin elektronik, gjë që do t’u mundësojë qytetarëve të kryejnë një pjesë të madhe të obligimeve administrative pa prani fizike në sportele.
Edhe pse korniza ligjore ekziston, ministri pranon se sfida më e madhe nuk është teknologjia, por rezistenca te administrata dhe mënyra “tradicionale” e punës.
“Problemi nuk është teknik, por njerëzor. Më së shpeshti buron nga të punësuarit në administratë. Kemi një mentalitet që thotë: ‘Ne tani do të digjitalizohemi, por thuajuni njerëzve që sërish të na i sjellin të dhënat në letër’. Kjo është kultura e ‘kështu kemi punuar deri tani, pse të ndryshojmë’”, është decid ministri.
Ai shton se nevojitet i ashtuquajturi “change management”, apo menaxhim i ndryshimeve, për të tejkaluar këtë rezistencë të brendshme në institucione. (PressOnline.al)







