Për kë bëjnë tifo politikanët tanë në Botëror? Toshkovski për Portugalinë, Pendarovski dhe Apasiev për Brazilin, Bendevska për Bosnjën…

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 10:17

Kampionati Botëror në futboll i bashkoi të gjithë para ekraneve të vogla. Një muaj mjafton që miliona njerëz të bëhen seleksionues, takticienë, analistë dhe tifozë të zëshëm. Nga kafeja e mëngjesit deri te debatet e vona në mbrëmje, futbolli bëhet tema kryesore e bisedës, ndërsa secili ka favoritin e vet dhe parashikimin e tij se kush në fund do ta ngrejë trofeun më të dëshiruar në sport. Por, për kë bëjnë tifo politikanët, gjykatësit dhe personalitetet publike maqedonase? Kush, sipas tyre, do ta fitojë kurorën botërore dhe cila përfaqësuese do të jetë befasia më e madhe e turneut?

Një pjesë e personaliteteve më të njohura nga jeta publike në Maqedoni, për “Sloboden Peçat”, i zbulojnë simpatitë e tyre futbollistike, favoritët dhe parashikimet për epilogun e garës së Botërorit, përcjell PresOnline.al. Disa u mbeten besnikë fuqive tradicionale, të tjerë besojnë në kampionë të rinj, por të gjithë pajtohen për një gjë – na pret një spektakël i vërtetë futbollistik.

Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, u uron shumë sukses përfaqësueseve të futbollit nga fqinjësia.

“Faleminderit për pyetjen, unë nuk kam favorit të dytë përveç përfaqësueses sonë të futbollit të Maqedonisë, por nëse duhet të vendos, u uroj shumë sukses përfaqësueseve të futbollit nga fqinjësia” – deklaroi kryeministri për “Slloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.

Ish-presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, thotë: “Kur nuk luan Maqedonia, gjithmonë bëj tifo për Brazilin”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bën tifo për Portugalinë dhe konsideron se Portugalia do të jetë kampione.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ndërkaq, ka një favorit tjetër.

“Bëj tifo për Kroacinë – veçanërisht sepse ky, me shumë gjasa, është Kampionati i fundit Botëror i Luka Modriqit, njërit prej futbollistëve më të mirë të kohës sonë dhe simbol i një gjenerate të jashtëzakonshme. Por, nëse flasim realisht për favorit, sipas meje Franca ka përbërjen më të fortë dhe shanset më të mëdha për të shkuar deri në fund” – tha Mucunski.

Deputetja Sllavjanka Petrovska ka një histori interesante për qenin e saj, i cili i parashikon mirë fituesit.

“Bëj tifo për Bosnjë e Hercegovinën dhe Turqinë, por mendoj se beteja do të zhvillohet mes Anglisë dhe Francës. Ndryshe, qeni im Stella tashmë e parashikoi saktë se në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Kurasao-s do të fitojë Gjermania. Në një emision ishin vendosur dy topa, që përfaqësonin Gjermaninë dhe Kurasao-n dhe Stella zgjodhi topin e Gjermanisë” – tha Petrovska.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, bën tifo për Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, edhe pse nuk është shumë adhurues i futbollit, në këtë Botëror bën tifo për Kroacinë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se nuk bën tifo për askënd në veçanti.

“Të mos them le të fitojë më i miri. Por nëse duhet të veçoj ndonjë përfaqësuese, le të jetë Maroko” – deklaroi Gashi për “Slloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.

Deputetja e ZNAM-it, Vesna Bendevska, thotë se e ndjek seriozisht futbollin dhe tradicionalisht bën tifo për Bosnjën dhe Bregun e Fildishtë. E pyetur pse bën tifo për Bregun e Fildishtë, tha se deri më tani ata vazhdimisht kualifikohen. Ajo shtoi se i mungojnë edhe vetëm disa figura nga albumi dhe se në çdo Kampionat Botëror e mbledh albumin. Sipas saj, Gjermania do të jetë kampione nga përfaqësueset e kualifikuara deri më tani.

Kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev, gjithmonë ka bërë tifo për Italinë, por ajo nuk u kualifikua në Kampionatin Botëror.

“Kështu që tani jam për Brazilin” – thotë Apasiev për “Slloboden Peçat”.

Maksim Dimitrievski thotë se si njeri, gjithmonë ka qenë në anën e autsajderëve.

“Bëj tifo për ekipet nga rajoni ynë dhe shtetet ish-jugosllave. Favoriti im është Bosnjë e Hercegovina si autsajder. Favoriti im i dytë është Kroacia, ndërsa sigurisht në të gjitha kampionatet botërore favoritë kanë qenë Brazili, Gjermania, Franca dhe fuqitë botërore të futbollit” – thotë ai.

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, bën tifo për Spanjën dhe beson e shpreson se Spanja do të jetë kampione.

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, na tha se nuk shikon futboll.

“Ndoshta do të shikoj kur Maqedonia të kualifikohet në Botëror” – thotë ai.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, nuk ka ekip të veçantë për të cilin bën tifo.

“Për fat të keq, favoriti im i përjetshëm, Maqedonia, nuk është pjesë e këtij garimi. Megjithatë, ka disa përfaqësuese interesante që do t’i ndjek, ja do të doja që Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovina të shkonin sa më larg, pse jo edhe deri në vetë finalen e kompeticionit. Sinqerisht, më shumë vëmendje më tërheq gjithçka që ndodh jashtë fushës, atmosfera, pasioni i tifozëve dhe energjia. Veçanërisht më intereson tradita e mbledhjes së figurave. Ky është një ritual i bukur sportiv që zgjon kujtime nga fëmijëria dhe tregon se futbolli është shumë më tepër se lojë dhe i lidh gjeneratat” – thotë Miteva.

Pyetëm edhe personalitete të tjera të njohura, nga profesione të tjera. At Antonio Apostoloski, udhëheqës i Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, thotë se gjatë gjithë jetës ka bërë tifo për përfaqësuesen e Italisë.

“Por këtë herë, për shkak se “axurrët” nuk arritën të kualifikohen në Botëror, do të thosha se Argjentina është favoriti im. E vlerësoj shumë Lionel Messin si futbollist dhe mendoj se meriton ta ngrejë edhe një herë kupën e artë para se të pensionohet zyrtarisht” – thotë ai.

Prokurori publik republikan, Nenad Saveski, për “Slloboden Peçat” parashikon se Portugalia do të jetë kampione bote, edhe pse nuk bën tifo për atë përfaqësuese.

“Bëj tifo për Spanjën. Gjithmonë bëj tifo për ndonjë nga shtetet evropiane” – thotë ai.

Kryetarja e Gjykatës Themelore Penale Shkup, Daniela Dimovska, mendon se Franca ka shanset më të mëdha për të fituar.

“Por mbështetja ime megjithatë është për Bosnjë e Hercegovinën! Bëj tifo për rajonin tonë dhe do të doja që një përfaqësuese ballkanike të arrijë sukses” – deklaroi ajo për “Sloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.

Peshkopi Pimen për “Sloboden Peçat” thotë se tradicionalisht bën tifo për Italinë dhe Francën.

“Duke pasur parasysh se italianët mbetën në shtëpi, më mbeti vetëm Franca si e preferuara ime. Nuk do të më çudiste nëse këtë vit kupën do ta fitonte ndonjë përfaqësuese nga Afrika, për shembull Maroko” – tha peshkopi. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter