Press Online
“Mund të shohim qartë se bëhet fjalë për një dokument që përshkruan të gjithë hapat që duhet të ndodhin për të mundësuar fillimin e negociatave, por për realizimin e këtyre hapave, natyrisht, fillimisht duhet të zhvillohen negociatat. Edhe pse nuk jam ekspert për interpretimin e dokumenteve të tilla, mendoj se gjëja e parë që duhet të ndodhë është miratimi i ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që të mund të fillojnë negociatat. Në fakt, këtë e përcakton edhe vetë korniza negociuese e dakorduar në vitin 2022. Më pas, si hap i radhës vjen konferenca ndërqeveritare, pas së cilës fillojnë negociatat zyrtare. Jam i bindur se Republika e Maqedonisë së Veriut do të mund të avancojë shumë shpejt në rrugën e saj eurointegruese, në varësi të zbatimit të reformave si pjesë e agjendës”, deklaroi Rokas.
Ai tha se është i bindur se në momentin kur vendi do të fillojë të realizojë reformat me ritëm të përshpejtuar, veçanërisht ato në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe t’i përmbushë obligimet e marra në vitin 2022, procesi i integrimit do të përshpejtohet. Ai shtoi se nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë garanci se Kuvendi po punon për miratimin e ligjeve nga agjenda reformuese.
Rokas e vlerësoi vendin për harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe theksoi se me përmbushjen e reformave do të ndihen përfitimet nga fillimi i negociatave me BE-në. Si shembuj pozitivë ai përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi.
I pyetur lidhur me qëndrimin parimor të kryeministrit Hristijan Mickoski për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Rokas u përgjigj se në politikë marrëveshjet duhet të respektohen dhe të zbatohen, si dhe të përmbushet një nga kushtet kryesore të BE-së, që janë marrëdhëniet e mira fqinjësore. (PressOnline.al)






