Diskotekat, kabaretë dhe klubet e natës do të përfshihen në një regjistër të posaçëm shtetëror të licencave, ndërsa pronarët e apartamenteve dhe objekteve private të akomodimit do të duhet të paguajnë shpenzime për kategorizimin e tyre. Një pjesë e tarifave administrative do të dyfishohen, ndërsa pothuajse të gjitha procedurat administrative në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë do të kryhen dhe lëshohen online. Këto janë disa nga ndryshimet më të rëndësishme që Qeveria propozon me projektligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veprimtarinë Hoteliere, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare, përcjell PressOnline.al.
Me zgjidhjet e propozuara parashikohen kërkesa elektronike, licenca elektronike, ankesa online, regjistra të rinj për objektet hoteliere, rregulla më të rrepta për kategorizimin e akomodimit privat dhe gjoba të reja për personat zyrtar dhe anëtarët e komisioneve që nuk do të veprojnë brenda afateve ligjore. Një nga risitë më të dukshme është krijimi i një regjistri të licencave të lëshuara për klubet e natës, kabaretë, diskotekat dhe diskotekat në hapësira të hapura.
Regjistri do të menaxhohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, përgjegjëse për sektorin e hotelerisë dhe do të përmbajë të dhëna për të gjitha licencat e lëshuara në vend. Njëkohësisht, procedura për marrjen e licencës pritet të bëhet më e shpejtë. Sipas propozim ligjit, ministri kompetent do të duhet të marrë vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, ndërsa licenca do të lëshohet po atë ditë kur merret vendimi.
Ndryshime të mëdha parashikohen edhe për akomodimin privat. Kategorizimi i shtëpive të pushimit, apartamenteve, banesave dhe dhomave me qira nuk do të jetë më vetëm formalitet, por do të kryhet nga komisione treanëtarëshe të formuara nga kryetarët e komunave. Vendimi për kategorizimin do të merret brenda 30 ditëve dhe do të jetë i vlefshëm për tre vjet. Për më tepër, çdo komunë do të duhet të mbajë regjistër të objekteve të kategorizuara dhe dy herë në vit t’i dërgojë raporte Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
Qëllimi është që shteti për herë të parë të krijojë një bazë të vetme të të dhënave për të gjitha kapacitetet akomoduese në vend.
Një detyrim i ri financiar vendoset edhe për personat fizikë që japin akomodim me qira. Shpenzimet për kategorizimin do të jenë në ngarkim të tyre, ndërsa lartësinë e tarifës do ta përcaktojë kryetari i komunës përkatëse.
Propozim ligji sjell edhe një proces të rëndësishëm digjitalizimi të sektorit. Hotelierët, agjencitë turistike dhe personat fizikë do të mund të paraqesin në mënyrë elektronike kërkesa për regjistrim, të deklarojnë përmbushjen e kushteve për ushtrimin e veprimtarisë, të kërkojnë licenca dhe të komunikojnë me institucionet përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve Elektronike.
Vendimet, licencat dhe dokumentet e tjera do të mund të lëshohen në formë elektronike, ndërsa edhe procedurat e ankesave do të zhvillohen online. Në rast të problemeve teknike, do të mund të përdoret dorëzimi elektronik i rekomanduar me certifikim të kualifikuar.
Në praktikë, kjo do të thotë se qytetarët dhe kompanitë nuk do të kenë më nevojë të bartin dokumente nga një institucion në tjetrin. Organet shtetërore do të jenë të obliguara që të sigurojnë të dhënat e nevojshme sipas detyrës zyrtare.
Ndryshime financiare parashikohen edhe për agjencitë turistike dhe një pjesë të subjekteve hoteliere. Me propozimet e reja, tarifat e përcaktuara në nenin 27-g do të dyfishohen. Në vend të shumave aktuale prej 100, 200, 300, 400 dhe 500 eurosh, tarifat e reja do të jenë 200, 400, 600, 800 dhe 1.000 euro.
Parashikohen gjithashtu sanksione të reja për personat zyrtar dhe anëtarët e komisioneve. Gjoba nga 25 deri në 50 euro do të shqiptohen ndaj zyrtarëve që nuk do t’i sigurojnë me kohë provat e nevojshme ose nuk do të veprojnë brenda afateve ligjore. Për kategorizim joobjektiv, anëtarët e komisioneve do të përballen me gjobë prej 150 eurosh, ndërsa personat përgjegjës që nuk do t’ua dorëzojnë vendimet aplikuesve mund të dënohen me gjobë prej 300 deri në 500 euro.
Sipas Qeverisë, reforma është pjesë e detyrimeve të marra në kuadër të Agjendës së Reformave dhe duhet të kontribuojë në uljen e barrierave administrative, ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe krijimin e një administrate publike më efikase. Njëkohësisht, me përmbushjen e këtyre detyrimeve, shteti do të mund të shfrytëzojë më shumë se 4,28 milionë euro nga Instrumenti Evropian për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.
Sipas ligjit, hotelierët dhe personat fizikë do të kenë afat prej një viti për ta harmonizuar veprimtarinë e tyre me rregullat e reja, ndërsa regjistrat e rinj dhe aktet nënligjore duhet të vendosen në funksion brenda gjashtë muajve. (PressOnline.al)






