Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu propozojnë që Bashkimi Evropian të shqyrtojë mundësinë e kufizimit të përkohshëm të disa të drejtave të votës për vendet e ardhshme anëtare, si dhe të vendosen mekanizma më të fortë për mbrojtjen e sundimit të ligjit, raporton Reuters, përcjell PressOnline.al.
Duke qenë se Mali i Zi shpreson të anëtarësohet në BE në vitin 2028, ndërsa Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia po kërkojnë përparim në procesin e tyre të pranimit, aktualisht po zhvillohen diskutime mes qeverive evropiane nëse rregullat për anëtarët e rinj duhet të ndryshohen.
Dokumenti përmend opsione të mundshme që mund të përfshihen në marrëveshjet e ardhshme të pranimit, si një mekanizëm i ri monitorimi dhe një klauzolë mbrojtëse që do të lejonte reagim në rast të ngecjeve serioze në fusha si demokracia dhe liria e mediave.
“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të thelluar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme dhe kalimtare të të drejtave të votës për vendet e reja anëtare, veçanërisht në pjesë të acquis të BE-së ku kërkohet unanimitet”, thuhet në dokument.
Nënshkruesit i referohen vendimeve për zgjerim, politikës së jashtme dhe buxhetit të Unionit, për të cilat aktualisht kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare. (PressOnline.al)






