Sot është dita e fundit e mësimit: Fillon pushimi veror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme

featured
Press Online
10 Qershor 2026, 09:26

Sot përfundon mësimi për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vitin shkollor 2025/2026, pas së cilës ata do të nisin pushimin veror që do të zgjasë deri më 31 gusht. Maturantët e përfunduan mësimin që më 15 maj dhe tashmë i presin detyrimet që lidhen me provimin e maturës shtetërore.

Nesër, më 11 qershor, maturantët e regjistruar për maturën shtetërore do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern nga gjuha amtare (maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht), ndërsa kandidatët për maturën shtetërore profesionale dhe atë artistike do të testohen më 12 qershor. Provimin e parë zgjedhor ekstern ata e zhvilluan më 6 qershor.

Nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për dhënien e maturës, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale, ndërsa 127 për maturën shtetërore artistike.

Ndërkohë, gjysmëmaturantët po përgatiten për regjistrimin në vitin e parë të arsimit të mesëm. Aplikimi elektronik përmes portalit Uslugi.gov.mk do të zhvillohet në dy afate të qershorit – nga 12 deri më 15 qershor dhe më 23 qershor, ndërsa afati i regjistrimit në muajin gusht është paraparë për 20 gusht, informon PressOnline.al.

Sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, janë siguruar mbi 25.000 vende të lira në 109 shkolla të mesme publike në mbarë vendin. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter