Nga një kabllo me vlerë 15.000 euro deri te një festë me kosto 50.000 euro – Anti-korrupsioni fillon hetimet në ISHP-në

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 11:31

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur lëndë për punën e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), pasi raporti i auditimit për vitin 2024 zbuloi një sërë parregullsish serioze në funksionimin financiar dhe organizativ të institucionit.

Nga Komisioni Kundër Korrupsionit njoftojnë se procedura është hapur me iniciativë të vetë institucionit, ndërsa objekt i verifikimit do të jenë pretendimet për korrupsion të mundshëm, keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe veprime të tjera të kundërligjshme.

Vendimi për hapjen e lëndës është marrë në mbledhjen e sotme të Komisionit, ku është paralajmëruar grumbullimi i dokumentacionit dhe informacioneve nga disa institucione për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike.

Drejtoresha aktuale e ISHP-së, Marija Andonovska, kohët e fundit i prezantoi publikisht gjetjet që kishte hasur pas marrjes së detyrës. Sipas saj, janë zbuluar shumë raste të diskutueshme, përfshirë mungesën e reagentëve dhe përdorimin e tyre pa evidencë, persona që merrnin pagë pa u paraqitur në punë, regjistrim të rremë të prezencës, punësime pa provimin e nevojshëm administrativ, avancime të parregullta dhe pagesa shtesash në paga pa bazë të duhur ligjore.

Veçanërisht shqetësuese janë pretendimet se teknikët farmaceutikë kanë kryer detyra të infermierëve dhe laborantëve, si dhe lidhja e kontratave për punë të përkohshme me persona që tashmë ishin të punësuar rregullisht në institucion.

Ndër rastet e kontestuara përmendet edhe dhënia me qira e një hapësire afariste në pronësi të Institutit një furre private, si dhe realizimi i prokurimeve publike që nuk ishin paraparë në planin vjetor të punës.

Andonovska zbuloi gjithashtu se disa punonjësve u ishin paguar kompensime shtesë mujore nga 44.000 deri në 88.000 denarë për aktivitete të ndryshme administrative dhe teknike.

Vëmendje të veçantë në opinion ka tërhequr informacioni për një kabllo interneti me gjatësi 15 kilometra, e blerë për rreth 15.000 euro, për të cilën, sipas drejtoreshës, nuk ka të dhëna se ku ndodhet dhe nëse është përdorur ndonjëherë. Për më tepër, për shënimin e 100-vjetorit të Institutit janë shpenzuar rreth 50.000 euro për një ngjarje që ka zgjatur vetëm një orë.

Raporti i auditimit përmban opinion negativ për një pjesë të operacioneve financiare të ISHP-së dhe evidenton dobësi në menaxhimin financiar, prokurimet publike, evidencën e materialeve mjekësore, angazhimin e personave me kontrata të përkohshme dhe zbatimin e detyrimeve ligjore.

Drejtoresha Andonovska deklaroi se pret që edhe Prokuroria Publike t’i shqyrtojë gjetjet dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë baza për përgjegjësi penale. Me hapjen e lëndës nga KSHPK-ja, rasti fiton peshë shtesë institucionale dhe mund të shndërrohet në një nga hetimet më të mëdha që lidhen me funksionimin e një institucioni publik shëndetësor në vitet e fundit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter