VLEN: Pse heshti Bujar Osmani për Banjskën dhe planet kundër Kosovës? A ka lidhje Vlladimir Stajiqi?

featured
Press Online
28 Maj 2026, 11:46

Koalicioni VLEN ka reaguar me akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, duke kërkuar përgjigje për, siç thonë ata, lidhjet dhe afërsinë me qarqe serbe gjatë kohës sa ai drejtonte diplomacinë e Maqedonisë së Veriut. Në një komunikatë për media, VLEN pyet pse Osmani kishte heshtur pas sulmit terrorist në Banjskë dhe nëse kjo lidhet me raportet me Vlladimir Stajiqin, konsull nderi i Serbisë.

Nga VLEN thonë se qytetarët nuk harrojnë “heshtjen ndaj Kosovës” dhe akuzojnë BDI-në se gjatë qeverisjes së saj ka mbështetur politika dhe projekte që, sipas tyre, shkonin në favor të Beogradit. Ata përmendin edhe planin 9-pikësh për Kosovën, duke kërkuar sqarime se në interes të kujt ishte mbështetur ai plan.

Komunikata e plotë e VLEN-it:

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po bëhet e qartë se BDI nuk mund t'u ikë pyetjeve për lidhjet dhe afërsinë me qarqe serbe. Deri sot, as BDI dhe as Bujar Osmani nuk kanë dhënë përgjigje për raportet me Vlladimir Stajiqin, konsullin e nderit të Serbisë, i cili shfaqej në pritje zyrtare gjatë kohës kur Osmani drejtonte diplomacinë e Maqedonisë së Veriut.

Pyetja tani është edhe më e madhe: a ishte pikërisht kjo afërsi arsyeja pse Bujar Osmani heshti për sulmin terrorist në Banjskë? Pse në momentet më të rënda për Kosovën nuk pamë një qëndrim të qartë dhe të zëshëm nga ai që sot mundohet të shitet si patriot i madh?

Qytetarët nuk harrojnë se gjatë kohës së Bujar Osmanit, diplomacia e Maqedonisë së Veriut u bë pjesë e agjendave që shkonin në favor të Beogradit. Ballkani i Hapur promovohej si projekt strategjik, ndërsa shqetësimet e Kosovës dhe shqiptarëve minimizoheshin. Takimet në Shën Naum shiteshin si "stabilitet rajonal", ndërkohë që Serbia vazhdonte politikat destruktive ndaj Kosovës.

Sot shtrohet pyetja legjitime edhe për planin famëkeq 9-pikësh ndaj Kosovës. Pse Bujar Osmani e mbështeti? Kujt i shërbente ai plan? Kosovës apo interesave të Beogradit?

BDI nuk mund të luajë më rolin e viktimës dhe patriotit të rremë. Shqiptarët e dinë mirë kush heshti kur Kosovës i duheshin aleatë të zëshëm dhe kush sot mundohet ta mbulojë të kaluarën me propagandë dhe akuza boshe ndaj të tjerëve.

VLEN do të vazhdojë të jetë zëri i shqiptarëve që nuk bëjnë pazare me interesat kombëtare, nuk fotografohen me konsuj të Serbisë dhe nuk heshtin kur sulmohet Kosova.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter