Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë rreth vdekjes së aktorit të njohur Matthew Perry, ndërsa motrat e tij kanë drejtuar akuza të rënda ndaj ish-asistentit shumëvjeçar, Kenneth Iwamasa.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, familjarët pretendojnë se Iwamasa i ka mashtruar për atë që ndodhi ditën kur ylli i serialit “Friends” humbi jetën në vitin 2023 nga një mbidozë ketamine.
Iwamasa, i cili kishte punuar për më shumë se 25 vite me aktorin, ka pranuar fajësinë në vitin 2024 për akuzën e “komplotit për shpërndarje të ketaminës që shkaktoi vdekje”.
Sipas prokurorëve, ai ka pranuar se i ka injektuar Perry-t ketaminë disa herë, përfshirë edhe në ditën fatale.
Gjysmë-motra e aktorit, Madeline Morrison, ka deklaruar se familja kishte besuar versionin e ngjarjes të dhënë nga asistenti, por më vonë kuptuan se shumë prej detajeve nuk ishin të vërteta.
Gjithçka që besoja për ditën e vdekjes së tij ishte gënjeshtër
-thuhet në deklaratën e saj drejtuar gjykatës, ku ajo pretendon se asistenti po përpiqej të fshihte rolin e tij në atë që ndodhi.
Sipas saj, Perry u la pa ndihmë në momentet më kritike, ndërsa ajo e përshkroi situatën si “shkatërruese” për familjen.
Madeline zbuloi gjithashtu se Iwamasa kishte insistuar të mbante një fjalim në funeralin e aktorit, diçka që ajo e quajti “një shaka mizore”, duke shtuar edhe më shumë tension mes familjes dhe ish-asistentit.
Edhe motra tjetër e Perry-t, Caitlin Morrison, reagoi ashpër, duke deklaruar se nuk ndjen asnjë keqardhje për të dhe duke lënë të kuptohet se ai ose e dinte çfarë po ndodhte, ose e la me vetëdije aktorin në një situatë të rrezikshme.
Ndërkohë, autoritetet amerikane po kërkojnë një dënim prej 41 muajsh burg për Iwamasa-n, ndërsa çështja vazhdon të mbajë vëmendjen e publikut dhe mediave ndërkombëtare.




