Aktorja Monica Barbaro ka folur për komedinë romantike “One night only”, ku luan përkrah, bashkëshortit të këngëtares Dua Lipa, Callum Turner, duke e përshkruar filmin si sensual, por me masë.
Ajo ka thënë se regjisori Will Gluck ka gjetur ekuilibrin e duhur mes humorit, romancës dhe skenave të guximshme, ka shkruar FemaleFirst.
“Ai e ka balancuar filmin në mënyrë perfekte. Është mjaftueshëm seksi, mjaftueshëm i ëmbël dhe njëkohësisht argëtues, pa e tepruar. Është një komedi romantike që të zgjon emocionet, më shumë sesa të mbështetet te skenat e hapura seksuale”, ka thënë aktorja.
Në film luajnë edhe Maya Hawke, Julia Fox, Molly Ringwald dhe Este Haim.
Barbaro ka thënë se e ka shijuar shumë punën me kastin.
“E kam parë filmin dy herë dhe të dyja herët kam ndjerë një energji të jashtëzakonshme. Më ka bërë të dua të kaloj më shumë kohë me këta njerëz”, ka thënë ajo.
Ajo pati fjalë të veçanta edhe për Turnerin, partnerin e saj në ekran.
“Callum është fantastik. Ai e do kinemanë, por nuk e merr veten shumë seriozisht. Është i hapur, dëgjon dhe bashkëpunon pa e lënë egon të ndërhyjë”, ka thënë ajo.
Në një intervistë tjetër, Barbaro, e cila është në një lidhje me aktorin Andrew Garfield, u përshkrua si një person romantik, por edhe shumë e përkushtuar ndaj punës.
“Jam pak nga të dyja, romantike dhe skeptike. Në thelb jam një romantike, por gjithashtu jam edhe njeri i punës. Jam krenare që nuk e kam ndërtuar gjithë jetën time vetëm rreth dashurisë. Megjithatë, ndonjëherë pyes veten nëse pavarësia ime ka qenë edhe një mënyrë për të mbrojtur veten nga zhgënjimet”, ka thënë ajo.


