Aktorja franceze Lea Seydoux ka folur për përvojën e saj në filmin “Gentle monster”, ku interpreton Lucy Weiss, një pianiste e suksesshme që sakrifikon karrierën për të mbështetur partnerin e saj pasi ai përballet me lodhje të madhe profesionale.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, Seydoux ka thënë se nuk pati asnjë hezitim të pranonte rolin, pasi beson se filmi trajton një temë të rëndësishme dhe reale.
“Mendoj se është një temë që mund të ngjallë debat, por është një realitet. Ishte e rëndësishme ta tregonim këtë histori dhe nuk pata asnjë problem me temën”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shtuar se e pati të lehtë të lidhej me personazhin e Lucyit.
“Ke mundësi ta ndjekësh Lucyin në çdo emocion të saj, edhe kur ato janë kontradiktore. Jam shumë empatike dhe emocionalisht e ndjeshme, prandaj ky personazh më erdhi natyrshëm”, ka thënë ajo.
Seydoux ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me regjisoren Marie Kreutzer, duke zbuluar se në ndërtimin e rolit solli edhe përvoja personale.
“Kam shtuar diçka nga vetja dhe sekretet e mia. Ndonjëherë aktori e njeh personazhin edhe më mirë se regjisori”, ka thënë ajo.
Aktorja u shpreh e lumtur që filmi do të transmetohet në Netflix dhe shpreson që publiku ta mirëpresë.
“Nuk janë bërë shumë filma për këtë temë. Jam kurioze të shoh reagimin e publikut. Mendoj se është një film i rëndësishëm”, ka thënë ajo.


