Në 14 maj parlamenti do të zhvillojë një debat për procesin e integrimit dhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri. Përcaktimi i datës për debatin u shoqërua me diskutime mes mazhorancës dhe opozitës, e cila kërkonte që ky debat të zhvillohej sa më herët, ndërkohë që palët shkëmbyen akuza se kush po e bllokon sot procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Sot ju, dashnorët më të rinj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt: e keni filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe prej asaj dite, në 23 ligje, në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro nga ju. Këto lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, Taulant Balla.
“Ajo lista atje është hiç asgjë krahasuar me votën për imunitetin e zv.kryeministres. Ajo është vota që duhej për integrimin. Ajo po e mban peng procesin. Sot Shqipërinë po e mban peng ajo vota kundër imunitetit të Belinda Ballukut, pastaj këto listat që tunden në parlament janë retorikë boshe për politikë të ditës, janë thjesht gënjeshtrat e radhës sa për të kaluar edhe ditën e punës sot”, Jorida Tabaku.
Ndërkaq, mazhoranca rrëzoi kërkesën e PD për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të dy propozimeve të opozitës për uljen e taksave mbi karburantin.
/vizionplus.tv





