Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka bërë të ditura vendimet e marra në mbledhjen e kabinetit qeveritar këtë të premte, 10 prill.
Gjatë një konference për mediat, Demo u shpreh se është formalizuar një grant prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara, i cili do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës rurale dhe për parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.
“Granti prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara tanimë është formësuar, për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike dhe për të përmirësuar infrastrukturën rurale”, tha ai.
Ministri foli gjithashtu për Paketën e Maleve, duke theksuar se kjo nismë vijon të mbetet në fokus të qeverisë. Ai bëri të ditur se janë shtuar edhe katër bashki të tjera në listën e zonave prioritare.
Sipas Demos, në ditët në vijim përfundon afati i aplikimeve për bashkitë, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të nisin miratimet e para.
“Do të shikoni që bashki të ndryshme do të miratojnë aplikimet e para, çka do të krijojë një efekt zinxhir, pasi bashkitë do të ndjekin njëra-tjetrën”, u shpreh ai.



