Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është “fund e krye jokushtetues”, duke e cilësuar atë si një përpjekje të rrezikshme për të shndërruar sistemin parlamentar të vendit në një sistem presidencial. Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Hasani theksoi se presidentja ka uzurpuar kompetencat e legjislativit, pasi në sistemin kushtetues të Kosovës asnjë organ i jashtëm nuk mund ta shpërndajë Kuvendin në mënyrë autonome përveç vetë deputetëve ose dështimit të procesit brenda afateve ligjore.
Sipas juristit, nisja e procedurës për zgjedhjen e presidentit më 5 mars i jep Kuvendit automatikisht një afat prej 60 ditësh për të përmbyllur votimin, dhe vetëm nëse ky afat dështon, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditëve. Hasani argumentoi se neni 86 i Kushtetutës, të cilit i referohet Presidenca, është vetëm një kriter procedural dhe nuk i jep të drejtë kreut të shtetit të anulojë në mënyrë arbitrare vullnetin e sovranit. Ai i quajti konsultimet e Osmanit me partitë politike për datën e zgjedhjeve si “fiktive” dhe u bëri thirrje forcave politike që të mos pranojnë këtë lojë që, sipas tij, rrënon rendin kushtetues.
Hasani paralajmëroi se nëse ky dekret kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, ai do të anulohet domosdoshmërisht, ndërsa theksoi se detyra e presidentit aktualisht duhet të ushtrohet nga kryetarja e Kuvendit. “Kjo është një përpjekje për mbrojtje të interesave personale përmes rrugës antikushtetuese që mund të çojë në kaos të mëtejmë,” përfundoi Hasani, duke insistuar se çdo ndryshim i mëtejshëm i rregullave të zgjedhjes së presidentit kërkon kontroll paraprak nga Gjykata Kushtetuese përpara se të votohet në Kuvend.(INA)


