Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për takimin me homologun e tij nga Shqipëria, duke e cilësuar bisedën si një hap drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive dhe dy vendeve, përcjell INA.
Albin Kurti njoftoi se në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë trajtuar marrëveshjet bilaterale ekzistuese, fushat ku mund të zgjerohet bashkëpunimi, si dhe mundësitë e reja dhe sfidat e përbashkëta.
Sipas deklarimit të tij, me mandatet e ripërtërira qeveritare, synimi është që përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror të rritet shërbimi ndaj qytetarëve të të dyja republikave.
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë. Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë,” ka shkruar Kurti.
Burime nga prapaskena bëjnë të ditur se pjesë e bisedës kanë qenë edhe raportet e deritanishme të ftohura mes dy kryeministrave. Rama nuk e kishte uruar publikisht Kurtin pas fitores në zgjedhje dhe formimit të Qeverisë në Kosova, ndërsa një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe më herët me mungesën e urimit ndaj Ramës pas fitores së tij zgjedhore në Shqipëria vitin e kaluar. Megjithatë, takimi i fundit shihet si sinjal për normalizim dhe rifreskim të komunikimit politik mes dy palëve.(INA)


