Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të shkëmbejnë 314 të burgosur pas bisedimeve të cilësuara si “produktive”, deklaroi i dërguari presidencial amerikan Steve Witkoff.
Witkoff tha se ky është shkëmbimi i parë i tillë në pesë muajt e fundit, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
“Ky rezultat u arrit pas bisedimeve për paqen që kanë qenë të detajuara dhe produktive. Edhe pse mbetet ende shumë punë për t’u bërë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po jep rezultate konkrete dhe po avancon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha ai.
Witkoff shtoi se diskutimet do të vazhdojnë dhe pritet përparim i mëtejshëm në javët në vijim.
Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka reaguar lidhur me shkëmbimin e të burgosurve të njoftuar më herët nga i dërguari presidencial amerikan Steve Witkoff.
Në një postim në platformën X, Zelenskyy tha se Ukraina po i kthen njerëzit e vetë në shtëpi, duke konfirmuar se 157 ukrainas janë pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit.
“Luftëtarë nga Forcat e Armatosura, Garda Kombëtare dhe Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare. Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Krahas mbrojtësve tanë, po kthehen edhe civilë. Shumica e tyre kanë qenë në robëri që nga viti 2022,” u shpreh ai.
Zelenskyy shtoi se shkëmbimi i sotëm erdhi pas një pauze të gjatë dhe ishte thelbësore që u realizua.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për lirimin e njerëzve tanë nga robëria. Duhet t’i kthejmë të gjithë – dhe do ta bëjmë patjetër. Po punojmë për çdo emër, në mënyrë që çdo familje më në fund të mund të mirëpresë të dashurit e saj në shtëpi,” theksoi presidenti ukrainas.


