TikTok do të fillojë në javët e ardhshme të vendosë një teknologji të re për detektimin e moshës në të gjithë Evropën, ndërsa platforma në pronësi të ByteDance po përballet me presione rregullatore për të identifikuar dhe hequr llogaritë e fëmijëve nën 13 vjeç. Sistemi do të analizojë informacionet në profil, videot e publikuara dhe modelet e sjelljes për të vlerësuar nëse personi pas një llogarie të caktuar është i mitur.
Tensionet rriten më tej nga fakti se një gjykatës në shtetin federal të Delaware në Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojë kërkesën e TikTok për të hedhur poshtë padinë që prindërit e pesë fëmijëve nga Britania e Madhe e dorëzuan vitin e kaluar, pasi fëmijët vdiqën duke realizuar video “prank” dhe “challenge”. Në padinë thuhet se algoritmet e TikTok promovuan përmbajtje të rrezikshme për fëmijët, përfshirë sfidën e njohur si “blackout challenge” që inkurajonte vetë-dëmtimin përmes mbytjes.
“ByteDance ka dëmtuar këta fëmijë pasi udhëheqësia e dinte që vendimet e tyre në programim mund të çojnë në vdekje aksidentale të fëmijëve”, thuhet në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Delaware. Disa nga fëmijët ishin nën 13 vjeç. “Shprehim ngushëllimet tona më të thella këtyre familjeve”, tha një zëdhënës i TikTok, duke shtuar se kompania ndalon rreptësisht përmbajtjen që promovon ose inkurajon sjellje të rrezikshme.
Pesë familje në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se fëmijët e tyre humbën jetën duke tentuar të kryenin të ashtuquajturën “Blackout Challenge”, një sfidë e rrezikshme që përfshin ndalimin e përkohshëm të frymëmarrjes dhe që mund të shkaktojë dëmtime serioze të trurit apo vdekje. Prindërit kanë ngritur padi në Shtetet e Bashkuara kundër TikTok-ut, duke e fajësuar platformën për ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjes së rrezikshme dhe duke kërkuar të zbardhin rrethanat e orëve të fundit të jetës së fëmijëve të tyre.


