Al Pacino rikthehet në ditët e “Godfather” me filmin e ri aksion-triller “Father Joe”, ku luan rolin e një bosi të fuqishëm të mafias. Aktori amerikan, 85 vjeç, u shfaq për herë të parë në setin e xhirimeve në Paris, i transformuar plotësisht në personazhin e tij. Ikona e Hollywood-it, Pacino, është i njohur botërisht për rolin legjendar të Michael Corleone në trilogjinë “The Godfather”.
Duke u rikthyer te rrënjët e tij si gangster, ylli i filmit u pa i veshur nga koka te këmbët me ngjyrë bezhë, me një jakë të madhe prej gëzofi artificial që i plotësonte kostumin në mënyrë dramatike. Filmi po drejtohet nga Barthélémy Grossmann, ndërsa aktori Kiefer Sutherland do të luajë rolin kryesor si Father Joe, përkrah Pacino-s.

Al Pacino ka punuar me regjisorë si Ridley Scott dhe Martin Scorsese gjatë gjithë karrierës së tij në filma si “House of Gucci” dhe “The Irishman” dhe së fundmi pranoi se i vjen keq për disa mundësi të humbura në karrierën e tij. Një nga ndryshimet më të mëdha në Hollywood ndodhi gjatë periudhës kur Pacino fitoi famë, kur regjisorët fituan më shumë kontroll mbi filmat dhe studiot filluan të respektojnë vizionin e autorëve si Francis Ford Coppola dhe Martin Scorsese. Filmat si “The Godfather”, “Scarface”, “Heat”, “Dog Day Afternoon”, në të cilin luajti Al Pacino bënë ndryshime në industrinë e filmit.
Pacino pranoi se nuk ishte e lehtë për të kur e kuptoi se kishte refuzuar rolin e Han Solo në “Star Wars” dhe ai veçanërisht i vjen keq që humbi bashkëpunimin me regjisorin Terrence Malick. Gjatë xhirimeve të “Manglehorn” në Austin, Malick e vizitonte shpesh në xhirime dhe Pacino zbuloi: “Terry më kërkoi shumë kohë më parë të luaja në filmin e tij dhe unë gjithmonë doja. Ky është një tjetër nga gabimet e mia”. Në vend që të pranonte rolin në “Badlands”, Pacino zgjodhi të punonte me Sydney Pollack në filmin Bobby Deerfield, një nga veprat e tij më pak të njohura. Ai gjithashtu refuzoi rolet në “Kramer vs. Kramer”, “Pretty Woman” dhe “Die Hard”.







