Bujar Osmani në “Top Story”: Kjo qeveri ka nisur një agresion total kundër barazisë dhe statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

featured
Press Online
09 Tetor 2025, 09:11

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati aktual për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë aktuale gjatë intervistës së tij në emisionin “Top Story”. Si nënkryetar i BDI-së, Osmani deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është anuluar tërësisht, ndërsa sipas tij, Qeveria e Mickoskit po zhvillon një agresion të hapur kundër barazisë dhe statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse e keni dëgjuar kryeministrin, ai vetë ka thënë se roli i këtyre zgjedhjeve është të zhdukim BDI-në nga skena politike. Që nga dita e parë e kanë filluar luftën kundër Maqedonisë së Ohrit – po luftojnë gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Osmani, përcjell PressOnline.al

Sipas tij, qeveria aktuale ka zhbërë tre shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë në institucione dhe balancuesin etnik.

“Sot gjuha shqipe nuk është më në institucione. E kanë instrumentalizuar Gjykatën Kushtetuese për të anuluar ligjet që kanë dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Kanë përjashtuar shqiptarët nga institucionet dhe presin të përfundojnë zgjedhjet për ta anuluar edhe gjuhën shqipe,” shtoi Osmani, përcjell PressOnline.al

Ai theksoi se qëllimi i fushatës kundër BDI-së është të ndërpritet çdo lidhje e shqiptarëve me trashëgiminë e UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilat, sipas tij, përbëjnë krenarinë e popullit shqiptar dhe bazën e barazisë në vend.

“Po ndodh një agresion total ndaj Maqedonisë së Ohrit, ndaj konceptit të barazisë dhe ndaj statusit shtetformues të shqiptarëve,” përfundoi Osmani.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter