Parlamenti ka nisur me debate që në nisje në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit që është miratuar në seancat e kaluara.
Deputetë të opozitës kërkojnë debat dhe shprehen se nuk kanë në dispozicion rregulloren e re të Parlamentit.
Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit.
Megjithatë, Peleshi u kërkoi shërbimeve të kuvendit që të marrin masa nëse ka deputetë të cilët nuk kanë dispozicion rregulloren.
Ndërkohë, në seancën e sotme në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar, ku u votua përbërja e 11 Komisioneve Parlamentare, që më pas do t’i hapë rrugë nisjes nga puna të komisioneve.
Ndërkohë në orën 10:00 u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku u diskutua për përcaktimin e rendit të ditës. Në mbledhje pati debate mes pjesëmarrësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. PD ka kërkuar Mocion me Debat mbi programin e qeverisë, pra përsëritje të seancës së 12 shtatorit.
Ndërkohë tonet janë ngritur dhe për raportimin e institucioneve të drejtësisë. Për shembull, Partia Socialiste ka propozuar që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të raportojnë dhe në Komisionin e Ligjeve por edhe në Kuvend, propozim ky që është kundërshtuar nga PD-ja.
Sakaq, diskutimi për projekt draftin e Kodit të ri Penal si dhe raportimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë, janë përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe pritet të kalojnë në Parlament javët e ardhshme.
Korreshi: Na jepni fjalën që të flasim për programin tuaj
Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi me nota ironie, ka akuzuar kryeparlamentarin Niko Peleshi se po pengon fjalën e opozitës në Kuvend.
Korreshi tha se opozita ka mbi një vit që nuk flet për hallet e qytetarëve.
“Na vjen keq që këto shoqet që në 20 ditëshin e parë na mërzitën. Kryetar, e dinë ato që je në një parti me ato? Apo se dinë? Sepse je ti që i rikthen normalitetin kësaj seance. E dyta, me fol në këtë seancë nuk jep leje ti. Ato që thotë Toni (Gogu), që e keni programin, po pikërisht e Toni, prandaj po themi ne, që ta rikthejmë atë seancën, të flasim për atë trobetrasfulla program. Se kalendari që keni sjellë ju, është për hallet e juaja, se ne kemi një vit këtu, që nuk flasim për ata që na kanë votuar poshtë. Tani kush na e kthen zërin ne? Kanë ndodhje hall ata? Ne pikërisht për atë programin me buzë të kuqe, por me çizme me gishta jashtë dhe me thonjtë pa prerë” tha Korreshi.
Deputetja e PS-së Ismaili: Qeveria sot prodhon më shumë demokraci se opozita! Diella do të shkruajë për shishet që keni fluturuar te ministrat
Deputetja e Partisë Socialiste Erjona Ismaili i është kundërpërgjigjur opozitës, duke thënë se qeveria sot nën drejtimin e Edi Ramës, prodhon më tepër demokraci se mund të bënte PD-ka. Ndër të tjera, referuar refuzimit të miratimit të procesverbalit të kaluar, Ismaili tha se ministres së AI do t’i ngarkohet detyra për të shkruar në raport dhe sendet e hedhura nga opozita në drejtim të kabinetit qeveritar.
“Kuvendi duhet ti kthehet normalitetit. Unë e kuptoj dhe jam e bindur qe kjo qeveri prodhon me shume demokrati sesa opozita mundet të kapërcej por ne e kemi të qartë vizionin dhe nuk bëjmë asnjë hap pas. Për procedurën duhej të ishin të transkriptuara çdo shishe të hedhura mbi kokat e kryeministrave, çdo kushtetutë e fluturuar e çdo rregullore, por kjo do jetë një detyrë që do ja ngarkojmë Diellës.




