Nuk ka nevojë për “propozim gjerman” – propozimi francez është i mjaftueshëm, qeveria humb kohë me iluzione

featured
Press Online
18 Gusht 2025, 09:29

Përsëri po rikthehen në opinion diskutime për një të ashtuquajtur “propozim gjerman”, i cili gjoja do të nxirrte jashtë procesit të negociatave çështjet historike dhe identitare me Bullgarinë. Por, realiteti është i qartë: Maqedonia e Veriut ka tashmë një marrëveshje – propozimin francez – i cili është i vetmi dokument zyrtar dhe i pranuar nga Bashkimi Evropian, shkruan PressOnline.al.

Çdo insistim i Qeverisë aktuale për “propozime të reja” shihet vetëm si tentativë për të blerë kohë dhe për të shmangur përgjegjësinë për mosrealizimin e obligimeve që burojnë nga korniza ekzistuese negociuese. Në vend që të përqendrohet tek reformat dhe ndryshimet kushtetuese, qeveria vazhdon të shesë shpresa boshe për zgjidhje alternative që nuk ekzistojnë.

Zëvendësministri i Jashtëm, Zoran Dimitrovski, në një intervistë për Kanal 5 tha se po bëhet presion mbi Bullgarinë që të premtojë se nuk do të vendosë kushte bilaterale gjatë negociatave dhe se po kërkohet një mekanizëm për të garantuar këtë. Ai shpjegoi se mund të krijohet një trupë arbitrazhi që të vendosë nëse çështjet historike dhe identitare përfshihen në kriteret e Kopenhagës.

Dimitrovski theksoi:

“Mesazhi është i qartë: duhet të mbyllim ndryshimet kushtetuese dhe procesi do të ecë përpara. Vetëm kështu Maqedonia e Veriut do të sigurojë mbështetjen e të gjitha venE madhee anëtare dhe nuk do të ketë më hapësirë për kushte bilaterale që nuk lidhen me kriteret e Kopenhagës.”

Analisti Petar Arsovski thekson se përkundër vlerësimit të mirë të mekanizmit arbitrazhi, Bullgaria nuk ka interes të heqë dorë nga e drejta e vetos:

“Maqedonia dëshiron t’i mbyllë çështjet identitare, ndërsa për Bullgarinë ato janë më të rëndësishmet. Për këtë arsye, gjasat për marrëveshje mbi një mekanizëm të ri janë minimale. Çdo tentativë për propozime të reja është thjesht një manovër politike.”

Partnerët evropianë kanë përsëritur qartë se negociatat zhvillohen mbi bazën e kritereve të Kopenhagës dhe të propozimit francez. Asnjë “propozim gjerman” apo tjetër nuk mund ta zëvendësojë marrëveshjen që tashmë është në fuqi.

Në vend të krijimit të iluzioneve të reja, institucionet duhet të përmbushin detyrimet që tashmë i kanë marrë përsipër. Çdo vonesë shtesë vetëm e zgjat bllokadën dhe e rrezikon seriozisht perspektivën evropiane të vendit.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter