Më së shumti ilaçe me recetë marrin qytetarët nga Shtipi, Koçani, Dellçeva dhe vendbanimet e tjera të rajonit lindor. Sipas analizës së Fondit për Sigurim Shëndetësor, në këtë pjesë të vendit mesatarisht merren nga 18 kuti ilaçe për banor në vit. Analiza tregon edhe rritje të konsumit të barnave të njohura, siç është Diazepami, përcjell PressOnline.al.
Nga 18 kuti tableta për çdo banor. Lindja e Maqedonisë duket se është më e varura nga ilaçet, të paktën sipas analizës së Fondit për Sigurim Shëndetësor. Sipas të dhënave, Metformina, Diazepami, Pantoprazoli dhe Enalaprili shpenzohen në masë të madhe dhe mbeten ndër barnat më të përdorura me recetë, me mbi 5 milionë receta të lëshuara vetëm për këto ilaçe.
Drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, thotë se qytetarët shpesh mbajnë sirtarë të mbushur me rezerva tabletash, por sipas tij, edhe më shqetësuese është pagesa e dyfishtë nga ana e disa barnatoreve, të cilat përveç shumës së plotë që ua marrin qytetarëve, pagesë marrin edhe nga Fondi, përcjell PressOnline.al.
Këtij problemi pritet t’i japë fund projekti i paralajmëruar prej kohësh për recetën elektronike, për të cilin ka shpresa se do të funksionalizohet plotësisht gjatë këtij viti.
Nga Fondi paralajmëruan se brenda pak ditësh qytetarët do të mund të blejnë terapi inhalatore në barnatore me çmim më të ulët. Spreji “Foster”, i dedikuar për inhalim dhe që më së shpeshti përdoret nga personat me astmë, nuk do të jetë më i vetmi në treg.
Nga Fondi thonë se “Kleksanët” ende po rimbursohen, ndërsa nga muaji i ardhshëm pritet që më në fund të jenë të disponueshëm në barnatore për qytetarët.
Me ribalancin e buxhetit, për Fondin parashihet një rritje prej mbi një miliard denarësh, shumë e cila në pjesën më të madhe është e destinuar për pagesën e pushimeve të lehonisë, konfirmojnë nga Fondi. (PressOnline.al)







