Kryetari i PD-së, Sali Berisha shfrytëzoi Asamblenë Parlamentare të OSBE në Portugali për të denoncuar procesin zgjedhor të 11 Majit.
Sipas Berishës, në këtë proces elektoral qeveria përdori buxhetin e shtetit në favor të PS, ushtroi presion mbi administratën dhe shpërndau leje ndërtimi e favore të tjera.
“Kartelet e drogës diktuan rezultatin për 28 deputetë, disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste”, tha Berisha.
Nga Asambleja Parlamentare e OSBE, Berisha përsëriti kërkesën për qeveri teknike.
“Unë kam vetëm një kërkesë: Të ndihmoni që Kombi im të votojë i lirë. Pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër Berisha theksoi nevojën për një reformë të re zgjedhore.
“Iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është jetike për vendin tim, që ndodhet në një moment shumë të vështire”, deklaroi Berisha.
Pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike ka shfrytëzuar çdo hapësirë nga Këshilli i Evropës tek Parlamenti Europian e Partitë Popullore Evropiane për të denoncuar zgjedhjet parlamentare.
/vizionplus.tv



