Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka komentuar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë debatin publik që ka shpërthyer rreth rezultateve të regjistrimit të popullsisë. I pyetur nga gazetarët, Ahmeti zgjodhi të japë një mesazh të përgjithshëm politik, duke shmangur shpjegimet konkrete mbi mangësitë që janë denoncuar nga opozita dhe opinioni publik, informon PressOnline.al
“Shqiptarët as kanë qenë të ndarë dhe as do të ndahen ndonjëherë”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se “regjistrimi i popullsisë është në kuadër të marrëveshjeve”.
Megjithëse lideri i BDI-së nuk foli hapur për dështim, deklarata e tij shihet nga analistët si një përpjekje për të zbutur pasojat politike të debatit mbi numrat dhe për të ruajtur unitetin brenda elektoratit shqiptar, i cili ndjehet i zhgënjyer nga mënyra se si u menaxhua procesi i regjistrimit.
Deklarata e Ahmetit nuk përmban ndonjë vetëkritikë apo plan për korrigjimin e situatës, por përmendja e “marrëveshjeve” nënkupton se procesi ka qenë më shumë politik sesa statistikor – një pranim indirekt që procesi i regjistrimit nuk ka reflektuar realisht gjendjen në terren.(PressOnline.al)







