Sekuestrohen rreth 60 kilogramë marihuanë në Prishtinë dhe Ferizaj, arrestohen katër persona

featured
Press Online
18 Qershor 2026, 17:08

Një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 60 kilogramëve substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë dhe arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni u zhvillua pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Operacioni policor është realizuar në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar katër persona, përkatësisht një shtetas i Republikës së Kosovës, dy shtetas të Republikës së Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Shqipërisë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka zhvilluar një aksion në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.

Lidhur me këtë rast janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Republikës së Kosovës, dy (2) shtetas të Republikës së Serbisë dhe një (1) shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 par.3 lidhur me nenin 275 par. 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: Rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy (2) vetura, dhe një (1) kamion.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftimin ndaj kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter