Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së koalicionit VLEN lidhur me pagesat e fundit të Ministrisë së Bujqësisë për fermerët, duke e cilësuar këtë si propagandë të zbrazët dhe dëshmi të dështimit për të mbrojtur interesat e bujqve shqiptarë.
Në një reagim publik, ASH thotë se ndërsa fshatrat shqiptare zbrazën çdo ditë e më shumë dhe rinia largohet pa kthim, VLEN zgjedh të krenohet me shpërndarjen e 341.536.000 denarëve për 4.144 fermerë, në kuadër të masës 2.2 për mbështetje të lopëve të matrikuluara më të vjetra se 12 muaj.
"Ne pyesim zëvendësministrin kukull të VLEN-it, që për çdo gjë del në publik vetëm si përkthyes politik i ministrit Cvetan Tripunovski: sa prej këtyre përfituesve janë shqiptarë? Sa nga këto mjete kanë përfunduar realisht në duart e bujqve shqiptarë, që prej dekadash ndihen të përjashtuar dhe të diskriminuar nga politikat bujqësore të shtetit?", thuhet në deklaratën e ASH-së.
Sipas opozitës shqiptare, Ministria e Bujqësisë po shndërrohet në një zyrë propagande për VLEN, e cila, siç theksohet, po dështon në mënyrë të plotë në zhvillimin e sektorit bujqësor shqiptar dhe në mbajtjen e të rinjve në vend.
ASH rikujton se vetë e ka braktisur këtë post qeveritar më herët, pikërisht për shkak të mungesës së vëmendjes ndaj bujqve dhe zonave rurale të banuara me shqiptarë. "Politikat e sotme vetëm sa përshpejtojnë shpopullimin dhe shkatërrimin e strukturës rurale shqiptare," shton partia.
Në përfundim, ASH bën thirrje për transparencë të plotë, përfaqësim të drejtë të fermerëve shqiptarë në politikat shtetërore dhe largim të propagandës për konsum mediatik, duke theksuar se “koha e përkthyesve ka përfunduar – bujqësia shqiptare ka nevojë për zë të vërtetë.”



