Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, shpërndarjes skandaloze dhe diskriminuese të fonE madhee për shoqatat qytetare nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e drejtuar nga zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq.
Sipas të dhënave të publikuara në media, nga projektet e përzgjedhura për financim, 29 janë për shoqata maqedonase, 5 për shoqata serbe, 3 për shoqata rome dhe vetëm 3 projekte për shoqata shqiptare. BDI thekson se kjo shpërndarje është dëshmi e një politike të qëllimshme diskriminuese ndaj shqiptarëve, të cilët përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha dhe më aktive në vend.
“Shqiptarët janë fshirë nga lista e përfituesve në mënyrë sistematike, edhe në një ministri që ka për detyrë të ruajë balancat ndëretnike dhe përfaqësimin e drejtë,” thuhet në reagimin e BDI-së, përcjell PressOnline.al
Partia akuzon drejtpërdrejt zëvendëskryeministrin Stoilkoviq për ushqim të ndasive ndëretnike dhe për promovim të përjashtimit nëpërmjet institucioneve shtetërore. “Me pozicionet e tij të njohura anti-shqiptare dhe lidhjet me qarqe jashtë interesit shtetëror të RMV-së, Stoilkoviq po shfrytëzon institucionin për të avancuar ndasi dhe propagandë,” vlerëson BDI.
BDI kërkon auditim urgjent institucional për të zbardhur këtë rast dhe kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale për Stoilkoviqin. “Institucionet e këtij shteti nuk janë terren për promovim të etnokracisë së kamufluar,” thuhet në fund të reagimit, duke theksuar se partia nuk do të heshtë përballë praktikave që zhbëjnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe cenojnë të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të barabartë.(PressOnline.al)



