Ka nisur që prej orës 23:00 të ditës së djeshme (14 maj) procesi i numërimit të votave për zgjedhjet vendore, ndërsa deri më tani shihet një epërsi e kandidatëve të Partisë Socialiste në shumicën e bashkive.
Kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kryesojnë në vetëm 7 bashki, përkatësisht në Has, Fushë Arrës, Pukë, Mirditë, Rrogozhinë, Kuçovë dhe Memaliaj, ndërsa në Finiq kryeson kandidati i Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen.
Është mbyllur numërimi në 6 bashki deri më tani, ku kandidatët socialist kanë fituar në 5 prej tyre. Në Elbasan, ku u zhvillua votimi dhe numërimi elektronik, Gledjan Llatja i PS-së mori 56% të votave, në krahasim me 44% që grumbulloi Luçiano Boçi nga “Bashkë Fitojmë”.
Në Kamëz, ku po ashtu u zhvillua votimi dhe numërimi elektronik, kandidati socialist Rakip Suli u shpall fitues me 66.36% të votave, ndërsa Arjan Hoxha nga “Bashkë Fitojmë” grumbulloi 35.32% të votave. Edhe në Vorë u votua dhe u numërua në mënyrë elektronike, ku kandidati socialist Blerim Shetra mori shumicën e votave, 73.52%, ndërsa Indrit Hoxha nga “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 26.48%.
Partia Socialiste ka korrur fitore edhe në Pustec, ku Pali Kolefski ka marrë 63.67% të votave, në raport me 36.24% që ka grumbulluar kundërshtari i tij politik, Pandi Jani nga “Bashkë Fitojmë”. Edhe Delvina ja ka besuar votën po kandidatit socialist, ku Besmir Veli ka marrë 62.61% të votave, ndërsa Ilir Mehmeti nga “Bashkë Fitojmë” ka marrë 37.39% të votave.
Kandidati i Bashkë Fitojmë, Rrok Dodaj ka korrur fitore në bashkinë e Pukës duke marrë 58.13% të votave, ndërsa kundërshtari i tij politik nga PS, Gjon Gjonaj, ka grumbulluar 41.87% të votave.
RTSH 24 vijon që prej orës 07:00 të ditës së djeshme (14 maj) me transmetim maratonë me raportime të drejtpërdrejta nga e gjithë Shqipëria.







