Patoko, një platformë e integruar e cila kombinon shërbime që i japin vlerë përditshmërisë sonë

featured
Press Online
04 Korrik 2024, 23:44

Ajo që filloi si një ide revolucionare për të transformuar industrinë e transportit në Shqipëri, sot Patoko është një platformë e integruar që kombinon shërbimet e taksive, informacionin e transportit publike dhe shërbimeve të tjera që i japin vlerë përditshmërisë.

Themelimi i Patoko u frymëzua nga dëshira për të thjeshtuar jetën e përditshme për shqiptarët dhe turistët,” tha themeluesi i platformës, z. Arbër Kadia.

Themeluesit e Patoko panë sfida të shumta në industrinë e transportit, duke përfshirë mungesën e opsioneve të integruara të lëvizshmërisë, varësinë nga paraja cash dhe informacionin e kufizuar të transitit.

Lidhur me këtë Arbri u shpreh: “Ne dëshironim të krijonim një platformë gjithpërfshirëse që adreson këto elemente dhe ofron një përvojë të përshtatshme, efikase për përdoruesit.”

Në fillim të këtij viti Patoko kaloi me sukses fazën e Selection Bootcamp të akseleratorit të parë Europian të startupeve në Shqipëri Uplift Albania duke u përzgjedhur për të ndjekur programin 4-mujor të akselerimit. Tre javë më parë, Patoko, u shpall Startupi i Vitit në edicionin e 12-të të Albanian ICT Awards.

Patako u themelua nga një ekip i talentuar dhe me përvojë në sipërmarrje dhe inxhinieri informatike. Arbri në cilësinë e CEO sjell një njohuri në zhvillimin e produkteve dhe menaxhimit e biznesit ndërsa CTO Patrick është një inxhinier me përvojë dhe histori të provuar në ndërtimin e platformave si arkitekt sistemi. Pjesë e ekipit të Patoko janë ekspertë mobiliteti, pagesash dhe sistemesh financiare.

Aktualisht operon në Tiranë dhe Durrës kryesisht por edhe në Gjirokastër dhe Sarandë. Pjesë e planeve të startupit është ekspansioni në rajon dhe më gjerë. “Afrika është një treg që na intrigon dhe jemi në diskutime për të nisur edhe aty operacionet tona,” tha Arbri.

Popullariteti i aplikacionit sa vjen e rritet çdo ditë. Nga viti i parë i operimit çdo muaj Patoko është rritur mesatarisht me 12.5 përqind çdo muaj duke pasur më shumë se 10 mijë përdorues unik mujor. Akoma më mbresëlënës është përdorimi i pagesave online nga përdoruesit për rrugëtimet e tyre.

Në muajin e parë të operimit patëm rreth 25 përqind të pagesave të bëra në këtë mënyrë,” tha Arbri. Rikthimi i përdoruesve në aplikacion dhe njohja e gjerë e brandit në sektorin e mobilitetit janë disa prej sukseseve të pakontestuara të Patoko.

Platforma ushtron aktivitetin e saj në disa vertikale: mobilitet on demand, informacion të mobilitetit publik dhe besnikëri.

Së fundmi jemi në fazën finale të para-lançimit të rezervimit të pastrimit për shtëpi dhe biznese,” shprehej Arbri. “Krahas kësaj ne jemi duke punuar për të sjellë një lojë me një kompani simpatike vendase për të rritur eksperiencën e përdoruesit brenda app-it.”

Në planet e Patoko janë rezervimet e shërbimeve nga biznese të vogla të cilat nuk kanë mundësi të zhvillojnë platforma kaq komplekse për shkak të barrierave teknologjike dhe kostove të larta.

Megjithatë krahas mundësive, Patoko është ballafaquar edhe me sfida të shumëllojshme. Mungesa e financimit të startupeve në planin privat apo e mekanizmave financiarë të tjerë – krahas granteve që udhëhiqen nga qeveria dhe donatorë të ndryshëm – ka penguar disi zhvillimin e shpejtë të ekosistemit. Një tjetër sfidë me të cilën përballet Patoko është njohuria e dobët teknologjike që ekziston tek përdoruesit ndërsa sektori i prapambetur i produkteve financiare nga bankat në shumë raste kanë kufizuar mundësitë që inovacioni të marrë jetë.

Energjitë e Patoko në një të ardhme të afërt janë përqendruar tek përmirësimi i pozicionimit në treg. “Ne synojmë që vertikalet që kemi zhvilluar të kemi adoptim të lartë,” tha Arbri. Po elaborohen risi dhe shërbime të reja ndërsa në aspektin e ngritjes së fondeve, Patoko është në diskutime me disa kompani Venture Capital dhe fonde private. Me trendin e rritjes që po shijon platforma, Patoko mund të vazhdojë vetëfinancimin e shëndetshëm të operacioneve të saj, megjithatë ngritja e një kapital do ti hapte rrugë një rritje eksplozive dhe operim më të mirë strukturuar.

Integrimi i shumëfishtë i modaliteteve të transportit në një aplikacion të vetëm është një prej vlerave më të spikatura që sjell platforma në këtë industri në Shqipëri. Informacion i plotë për transportin publik në mënyrë që përdoruesit të planifikojnë udhëtimet qytetase. Pagesa digjitale të sigurta dhe me kosto të ulët për të partnerët tanë të biznesit. Programe besnikërie të personalizuara për bizneset e madhësive të ndryshme, dyqanet lokale dhe restorantet. Falë databazës në hartë që Patoko ofron zbulimin dhe aksesin e përmirësuar të bizneseve lokale përmes listimeve në aplikacion. Brenda ekosistemit të Patoko gjeni një mori me shërbime tepër të avancuara ndërlidhjeje dhe produktesh financiare.

/PCWorld Albanian

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter