Seth Rogen dhe Olivia Wilde kanë zbuluar prapaskenat e bashkëpunimit të tyre në serialin “The Studio” dhe filmin e ri “The Invite”, duke rrëfyer se kimia e tyre në ekran ishte aq e fortë, sa aktori i la një mesazh të pazakontë koleges pas përfundimit të xhirimeve.
Më pëlqen të të bërtas
-ishte shënimi që Rogen i la Wilde, një koment që në pamje të parë mund të tingëllojë si shenjë konflikti, por që në fakt, sipas tyre, ishte komplimenti më i madh për mënyrën se si funksiononin së bashku para kamerës.

Dyshja shpjegoi se skenat plot debate dhe tension nuk kishin asnjë lidhje me mosmarrëveshje në prapaskenë. Përkundrazi, ato ishin rezultat i besimit të ndërsjellë dhe lirisë artistike që i dhanë njëri-tjetrit gjatë xhirimeve.
Olivia Wilde tha se mes tyre nuk kishte asnjë ego apo kotësi dhe se kjo u lejoi të eksperimentonin lirshëm me rolet.

Kimia e tyre nisi gjatë episodit “Missing Reel” të serialit “The Studio” dhe më pas u zhvillua edhe më shumë në filmin “The Invite”, i cili pritet të shfaqet në kinematë evropiane gjatë muajit korrik.
Interesant është fakti se, megjithëse karrierat e tyre u zhvilluan paralelisht që nga fundi i viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000, ata pothuajse nuk ishin njohur më parë.

Rogen kujtoi se takimi i vetëm mes tyre kishte ndodhur mbi 20 vite më parë, gjatë një audicioni për filmin “Knocked Up”, ku Olivia Wilde nuk arriti të merrte rolin.
Në “The Invite”, Rogen dhe Wilde interpretojnë Joe dhe Angela, një çift i martuar që përballet me tensione të fshehura. Mbrëmja merr një kthesë të papritur kur në darkë mbërrijnë fqinjët e tyre, të luajtur nga Penelope Cruz dhe Edward Norton, duke nxjerrë në sipërfaqe sekrete, konflikte dhe pyetje të pathëna prej vitesh.

Me humor, Seth Rogen tregoi se ai dhe pjesa tjetër e ekipit bënë gjithçka për ta bindur Olivia Wilde të merrte edhe rolin kryesor në film.
Madje ia bëra të pamundur të punësonte dikë tjetër, sepse i thashë: ‘Nuk mendoj se do të ishe e mirë për këtë’
-tha ai me shaka.
Nga ana tjetër, Wilde pranoi se fillimisht kishte hezituar të luante në projektin që po drejtonte vetë, pasi ndihej e pasigurt, edhe pse kishte besim në vizionin e saj si regjisore.
Aktorja shtoi se “The Invite” trajton tema të ndjeshme si martesa, intimiteti dhe mënyra se si shumë çifte shmangin për vite me radhë bisedat e vështira për jetën seksuale dhe marrëdhënien e tyre.
Sipas tyre, fakti që filmi u realizua si një projekt i pavarur u dha më shumë liri krijuese sesa do të kishin në një prodhim të madh hollivudian, duke i lejuar të ndërtonin historinë sipas vizionit të tyre.






