Familja e stilistit legjendar Giorgio Armani dhe Grupi Armani kanë reaguar zyrtarisht ndaj filmit biografik që po përgatitet për jetën e ikonës së modës, duke theksuar se nuk kanë asnjë lidhje me projektin dhe se nuk e kanë miratuar apo mbështetur realizimin e tij.
Përmes një deklarate, kompania bëri të ditur se është në dijeni të projektit “Armani: The King of Fashion”, i cili do të prodhohet nga Andrea Iervolino dhe do të drejtohet nga regjisori danez Bille August, fitues i dy Palmave të Arta në Festivalin e Kanës. Megjithatë, Grupi Armani nënvizoi se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë fazë të zhvillimit të filmit.
“Grupi Armani nuk e ka miratuar, mbështetur apo financuar këtë projekt dhe nuk ka marrë pjesë në procesin e zhvillimit apo prodhimit të tij. Për këtë arsye, kompania nuk ka asnjë lidhje me filmin dhe distancohet plotësisht si nga regjisori, ashtu edhe nga përmbajtja e tij”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Reagimi erdhi pak pasi media amerikane Deadline raportoi se Bille August do të jetë regjisori i filmit, ndërsa producent do të jetë Andrea Iervolino, i njohur për projektet e tij kinematografike, mes tyre edhe filmi “Ferrari”.
Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, filmi synon të sjellë në ekran historinë personale dhe rrugëtimin profesional të Giorgio Armanit, një prej emrave më të mëdhenj në historinë e modës ndërkombëtare.
Skenari do të shkruhet nga Bobby Moresco, fitues i çmimit Oscar për filmin “Crash”, i cili ka bashkëpunuar më parë me Iervolinon. Ai është gjithashtu autor dhe regjisor i filmit biografik “Maserati: The Brothers”, me aktorë të njohur si Al Pacino, Anthony Hopkins, Andy Garcia dhe Jessica Alba. Giorgio Armani u nda nga jeta në shtator të këtij viti, në moshën 91-vjeçare, si pasojë e insuficiencës hepatike.






