Zara Larsson ka ndarë një histori që i la fansat të habitur, duke zbuluar se mësoi krejt rastësisht se një nga shoqet e saj ishte zhvendosur për të jetuar me ish-të dashurin e saj, dhe gjithçka falë aplikacionit “Find My Friends”.
Këngëtarja suedeze 28-vjeçare tregoi se fillimisht vuri re se vendndodhja e shoqes së saj shfaqej vazhdimisht në adresën e ish-partnerit, gjë që e bëri të mendonte se mund të ishte thjesht një rastësi.
Por, sipas Daily Mail, dyshimet e saj morën një kthesë tjetër kur një mike e përbashkët i konfirmoi se shoqja ishte zhvendosur vërtet për të jetuar në të njëjtën shtëpi me ish-të dashurin e saj.
Fillimisht mendova se ishte rastësi, por më pas mora vesh se ajo ishte transferuar atje
-rrëfeu artistja.
Megjithatë, Zara pranoi se ende nuk e ka përballur shoqen për këtë situatë dhe nuk dëshiron të nxjerrë përfundime të nxituara.
Ajo shpjegoi se gjithçka mund të ketë një shpjegim krejtësisht të pafajshëm, pasi shoqja është ndarë së fundmi nga i fejuari i saj dhe mund të ketë zgjedhur të jetojë aty për arsye praktike, e jo domosdoshmërisht romantike.
Këngëtarja e ndau këtë histori gjatë emisionit “A Very British Day Out with Jordan North”, ku tregoi se ishte pikërisht aplikacioni për ndarjen e vendndodhjes ai që e bëri të lidhte “copat e enigmës”.
Për momentin, misteri mbetet i pazgjidhur. Zara thotë se nuk ka marrë ende një shpjegim të drejtpërdrejtë nga shoqja e saj, ndërsa fansat tashmë po spekulojnë nëse bëhet fjalë për një bashkëjetesë mes miqsh apo për fillimin e një romance të re.






